image Kastrati reagon për vrasjen e sotme në Kamenicë: Kjo duhet të na turpërojë e alarmojë

Kosovë

Kastrati reagon për vrasjen e sotme në Kamenicë: Kjo duhet të na turpërojë e alarmojë

news image

Kryetari i Komunë së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pas vrasjes së 34-vjeçares me inicialet S.M., e cila dyshohet se u privua nga jeta nga bashkëshorti i saj me inicialet N.M., 42-vjeçar, në fshatin Berivojcë të Kamenicës, raporton Gazeta Sinjali.

Kastrati thotë se ndihet thellësisht i tronditur nga kjo ngjarje, për të cilën thotë se duhet të alarmohen dhe turpërohen të gjithë.

“Nuk ka tronditje më të madhe sesa të dëgjosh për vrasje në martesë. Aty ku njeriu do të duhej ta gjente sigurinë më të madhe, mirëkuptimin më të lartë e dashurinë…kur aty ndodhë vrasja…është ferri vet. Ndjehem thellësisht i tronditur, i dëshpëruar e me mllef në lidhje me një ndodhi të pazakontë që ngjau sot në Kamenicë, ku një gruaje i është marrë jeta në mënyrën më mizore nga bashkëshorti”, ka shkruar Kastrati në Facebook.

Dhuna në familje, sipas tij, është rezultat i rrethanave të shumta, mirëpo problemi vlerëson ai se ende qëndron në mungesën e seriozitetit në trajtimin e kësaj dukurie.

“Kemi dështuar si shoqëri të bëjmë mjaftueshëm për ta dënuar këtë dukuri e luftuar faktorët që çojnë te ky problem. Kjo duhet të na turpërojë e alarmojë”, ka shkruar ai.

Kastrati thotë se e dënon fuqishëm këtë akt dhe se ai dhe komuna që ai udhëheq do të mbeten të angazhuar dhe të përkushtuar në mbrojtjen e jetës, respektimit të dinjitetit, të drejtës së jetës dhe gëzimit të saj nga të gjithë, e veçanërisht grupeve të cenuara.

Ai ka shprehur ngushëllimet më të thella familjes së viktimës.

Gazeta Sinjali sot gjatë ditës raportoi se 42 -vjeçari dyshohet se pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me tani viktimën, e kishte goditur atë me një shufër metalike në kokë, duke e privuar kështu nga jeta./Gazeta Sinjali/