image Kaq turistë shqiptarë e vizitojnë Kosovën gjatë dimrit

Biznes

Kaq turistë shqiptarë e vizitojnë Kosovën gjatë dimrit

news image

Kosova njihet si vend me potencial të madh të zhvillimit të turizmit dhe resurseve që ka në dispozicion për turizëm dimëror. Ndonëse Kosova ka vende atraktive për vizitorët e huaj, pandemia COVID-19 ka ndikuar në rënien e turistëve të huaj në mënyrë drastike.

Turistët nga Shqipëria vazhdojnë të jenë besnikë të Kosovës. Sipas të dhënave të Unionit të Turizmit gjatë dimrit mbi 100 mijë shtetas nga Shqipëria vijnë në Kosovë dhe shpenzojnë rreth 20 milionë euro.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti thotë se numri i turistëve që vizitojnë Kosovën nuk është i kënaqshëm.

Nëse bëjmë krahasime vitin 2020 me 2021 kemi një rritje të konsiderueshme për faktin se viti 2020 ishte gati plotësisht i mbyllur për shkak të masave që janë vendosur nga institucionet. Por, në momentin kur ka pasur sadopak një lirim të masave ka pasur fluks të vizitorëve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vendet e tjera. A është kjo e kënaqshme? Jo nuk është, por si do që të jetë në raport me vitin 2020 ka pasur lëvizje pozitive. Ndërkaq, nëse e krahasojmë vitin 2021 me vitin 2019 ka një rënie jashtëzakonisht të madhe, diku rreth 70 për qind ka rënie në raport me vitin 2019. Normalisht, që edhe pandemia e bëri të veten jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha vendet e botës”, thekson ai.

Përveç shteteve të tjera, vendi ynë ka turistë në numër të madh edhe nga Shqipëria.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Shqipërisë, Rrahman Kasa thotë se rreth 100 mijë turistë nga Shqipëria vizitojnë Kosovën gjatë sezonit të dimrit brenda një viti, të cilët siç thotë ai shpenzojnë rreth 20 milionë euro.

“Të fillojmë me Kosovën, nga statistikat që në kemi, gjatë sezonit dimëror vijnë mbi 100 mijë shtetas nga Republika e Shqipërisë në Kosovë. Kryesisht vizatojnë resorët dimërore të cilat Kosova i ka shumë më të organizuara se sa Shqipëria. Mirëpo, tash nuk e di sa është shifra reale e konsumuar nga ai numër që ne kemi, por po t’i referohemi një vlere statistikore rreth 20 milionë euro që vijnë nga Shqipëria në Kosovë gjatë sezonit dimëror. Por, për dy javë sa ishin në fuqi masat drastike në kufi, pothuajse qarkullimi është zero, mirëpo gjithsesi se pandemia ka ndikuar edhe më përpara si kudo në turizëm, dhe i ka sjellë një dëm të madh turizmit”, u shpreh ai.

Kryetari Kasa ka thënë se Kosova është vend i kërkuar nga qytetarët e Shqipërisë për shkak të zonave atraktive me borë.

“Kosova ka disa pista skish, ka vende që qëndrojnë me borë për një kohë të gjatë gjë që në Shqipëri pothuajse ka shumë pak, edhe në ato vende që ka nuk janë të aksesueshme për shkak të infrastrukturës, ndërsa Kosova është më e favorizuar, sidomos sezoni dimëror është shumë i kërkuar nga qytetarët e Shqipërisë për të ardhur në Kosovë”, thotë ai.

Ndërsa, Kosova nuk ka ende Ligj për turizëm, ani se projektligji për këtë sektor është miratuar ditë më parë në parim në Komisionin për Ekonomi.

Kryetari i Unionit të Turistëve të Kosovës, Baki Hoti duke kërkuar që Ligji për turizmin të votohet sa më shpejt nga Kuvendi, thotë se ky ligj përveçse është i domosdoshëm duhet të jetë edhe funksional.

Derisa ditë më parë është miratuar në lexim të parë Projektligji për turizëm në Komisionin për Ekonomi, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, theksoi se Ligji për turizmin synon të vendos bazën ligjore për zhvillimin e turizmit konkurrues.

“Ligji për turizmin synon të vendos bazën ligjore për zhvillimin e turizmit konkurrues dhe të qëndrueshëm në Republikën e Kosovës, duke shfrytëzuar burimet natyrore, kulturore, njerëzore e financiare. Po ashtu është në harmoni me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe standardet bashkëkohore”.

“Jemi duke punuar po ashtu edhe për strategjinë për turizmin dhe besoj se ky ligj do ta ndihmojë po ashtu në zbatimin e planeve vjetore për turizmin. andaj, ju ftoj për përkrahjen e këtij projektligji, sepse është me rëndësi të veçantë dhe interes kombëtar”, u shpreh ajo për KP.

Vendet më të frekuentuara në Kosovë nga vizitorët e huaj mbesin vendet malore, ku dominojnë bjeshkët e Rugovës, Bogës, Sharrit dhe Brezovicës. Po ashtu fokus mbetet edhe turizmi kulturor në kryeqytet, Prishtinë.

/GazetaSinjali/