image Infektohen me COVID-19 katër mësues, mbyllen dy shkolla në Prishtinë

Shëndetësi

Infektohen me COVID-19 katër mësues, mbyllen dy shkolla në Prishtinë

news image

Në shkollën fillore të mesme të ulët “Nexhmi Mustafa” në Prishtinë, katër mësimdhënëse dhe një punëtor teknik kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka konfirmuar, drejtoresha e shkollës në Besi, Xhevrije Osmani, për Gazetën Sinjali.

Ajo tha që në paralelet e kësaj shkolle në fshatin Lebanë dhe Rimanishtë, 4 mësimdhënëse dhe një nga personeli i shkollës, janë infektuar me koronavirus.

“Gjithsej janë kryer 62 testime në shkollën fillore “Nexhmi Mustafa” në fshatin Besi dhe në paralelet tjera të kësaj shkolle, ku pesë persona gjithsej kanë rezultuar pozitivë në fshatin Lebanë dhe Rimanishtë”, ka thënë Osmani.

Ndërkohë, ajo u shpreh se në këto dy shkolla ku janë paraqitur rastet e reja, mësimi do të vazhdojë online.

“Mësimi nga sot ka filluar online në këto dy shkolla. Dy javë do të vazhdojë kështu në distancë. Pas 14 ditëve do të analizojmë situatën dhe do të vendosim nëse mësimi të bëhet nga shtëpia apo në bankat shkollore”, u shpreh ajo.

Kurse, sa i përket testimit për nxënësit që mund të jenë të infektuar në këto shkolla, Osmani tha se ende nuk ka ndonjë informatë.

Për momentin në fshatin Besi dhe Prugoc nuk ka raste me COVID-19 në shkollat e tyre. /Gazeta Sinjali/