Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë U-21, Alban Bushi, dhe kapiteni Sherif Kallaku dolën në konferencë për shtyp në prag të kualifikueses me Kosovë, që do të luhet të martën, në orën 19:00, në “Elbasan Arena”.
Trajneri Bushi në fjalën e tij theksoi se skuadra nuk është në tension nga fakti se do të përballet në një ndeshje eliminatore me bashkëkombësit e Kosovës.
“Nuk kemi asnjë lloj ndjesie ekstra, thjesht është një ndeshje e radhës për ne. E kemi përgatitur mirë. Gjëja pozitive është se kemi pasur shumë ditë në dispozicion. Kemi bërë atë lloj strategjie, që do e shprehim nesër në fushë, për të mundur ekipin e Kosovës. Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë. Pres një ndeshje shumë të luftuar nga ekipi ynë. Mbështetja e tifozëve do të jetë maksimale”, tha Bushi shkruan SS.
Kapiteni Kallaku u shpreh i kënaqur që tashmë e ka lënë pas krahëve dëmtimin dhe do të jetë një forcë e shtuar për skuadrën. Në lidhjen me ndeshjen ai tha se nuk do të futen në një ndeshje vëllazërorë, por për ta fituar.
Kosova një derbi apo vëllazërore? Nuk do futemi si në një ndeshje vëllazërore, por për ta fituar. Normalisht që është një derbi. Është një derbi ku gjëra të tipit “jemi vëllezër” nuk vlejnë brenda 90 minutave. Pas ndeshjes jemi vëllezër dhe rrimë së bashku”.