Marshallët amerikanë kanë ofruar një shpërblim prej 10 mijë dollarësh për informacionin që çon në arrestimin e prindërve të një adoleshenti të dyshuar për të shtënat vdekjeprurëse në shkollën në Miçigan. E sipas mediave amerikane, dy prindërit janë arrestuar.
James dhe Jennifer Crumbley akuzohen për injorimin e shenjave paralajmëruese para sulmit që e kreu i biri i tyre në një shkollë Miçigan, por nuk u paraqitën në gjykatë të premten, shkruan BBC.
Megjithatë, ata u gjetën më vonë, pasi një person pa veturën e tyre dhe e njoftoi policinë, shkruajnë mediat amerikane.
Autoritetet kishin ofruar shpërblim prej 10 mijë dollarësh për ata që do të ofronin informata që do të çonin në kapjen e tyre.
I biri i prindërve të arrestuar, Ethan Crumbley, 15 vjeç, akuzohet se e ka përdorur armën e babait të tij për t’i qëlluar shokët e shoqet e klasës në Miçigan.
Katër të vrarët ishin adoleshentë – një 14 vjeç, një 16 vjeç dhe dy 17 vjeç. Shtatë persona të tjerë mbetën të plagosur.