image "Kanë nevojë për ndihmë", ish-eprori i heroit Bunjaku: Policia e Kosovës e meriton Sigurimin Shëndetësor

Sociale

“Kanë nevojë për ndihmë”, ish-eprori i heroit Bunjaku: Policia e Kosovës e meriton Sigurimin Shëndetësor

news image

I ekspozohen rrezikut dhe punojnë me nga 12 orë pa ndërprerë e në kushte minimale, kanë uniformë të vjetëruar e shpesh i kemi parë edhe me këpucë të shqyera. Zyrtarët e Policisë së Kosovës, vazhdojnë të jenë ndër më të anashkaluarit nga Qeveria e Kosovës kur bëhet fjalë edhe për sigurim shëndetësor. Përveç kësaj, atyre nuk po i paguhen shtesat e rrezikshmërisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Në tensionet që ndodhin kohë pas kohe në komunat veriore, zyrtarët policorë janë sulmuar me eksplozive të ndryshme, armë zjarri, gurë e tulla betoni, teksa ditën e djeshme në njërën nga këto komuna veriore, pikërisht në Banjskë të Zveçanit njëri nga zyrtarët e Policisë, Afrim Bunjaku ra heroikisht dëshmor pas sulmit terrorist serb.

Situata të tilla ku ata rrezikojnë jetën në shërbim të vendit janë të shpeshta. Por për këtë, tash e disa muaj, Policia e Kosovës nuk mori shtesa për rrezikshmëri.

Ish-eprori i policisë, Refki Morina, ka thënë se duhet siguruar kushte më të mirë për Policinë e Kosovës, teksa e vuri në theks se po flet për kushtet minimale për ta. Morina cilësoi se Policia e Kosovës e meriton të ketë Sigurim Shëndetësor pasi shumë pjesëtarë të saj kanë humbur shumë derisa ishin në krye të detyrës.

“Unë vazhdimisht për këto 24 vjet, por edhe popullata e Kosovës është krenuar me Policinë e Kosovës edhe me FSK-në. Nëse krenohemi me këtë, atëherë duhet t’i sigurojmë edhe kushte. Kushte të cilat janë minimale për punëtorët e Policisë së Republikës së Kosovës që të funksionojnë”, i shpreh ai në Klan.

“Unë besoj që asnjë polici në botë nuk është pa Sigurim Shëndetësor, besoj se edhe Policia e Kosovës e meriton të ketë Sigurim Shëndetësor, për arsye se shumë policë tanë kanë mbetur pa këmbë, pa duar, duke kryer detyrat në terren, prandaj ata kanë nevojë për ndihmë mjekësore”, shtoi tutje, ish-eprori i Policisë, Refki Morina.

Duke qenë përditë në vijë të parë të frontit për të luftuar krimin, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë raportuar 62 sulme ndaj policëve. Ndërsa që nga themelimi i Policisë, 22 zyrtarë kanë rënë gjatë punës së tyre në detyrë.

/GazetaSinjali/