image Kandidatja e VV-së për deputete tregon përse dogji flamurin e Kosovës

Kosovë

Zgjedhje/ Kandidatja e VV-së për deputete tregon përse dogji flamurin e Kosovës

news image

Mimoza Shala, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete të Kuvendit të Kosovës ka tentuar të arsyetohet për djegien  e flamurit të Kosovës vite më parë.

Djegien e flamurit të Kosovës e ka arsyetuar me kapje të shtetit nga ndërkombëtarët dhe nga kapja e shtetit të mafive vendore.

Ajo ka thënë se ka pasur protesta spontane kundër emblemave për shkak se janë parë si rezultat i korrupsionit.

“Unë e pranoj që kam manifestuar shpesh kundër kapjes së shtetit. Kundër kapjes nga ndërkombëtarë, kur na përcaktonin simbolet si indigjeneve dikur në Afrikë. Kundër kapjes nga Kisha Ortodokse Serbe, kur na teshin me demagogji. E kundër kapjes nga mafia jonë, që na le pa të ardhme”.

“Gjatë këtyre manifestimeve mund të ketë patur edhe protesta spontane kundër emblemash të ndryshme, që janë parë si derivate të korrupsionit. Qoftë nga ndërkombëtarë, nga Serbia, a nga shteti ynë i kapur. Kjo është mënyra e njohur e shprehjes së pakënaqësisë, prej SHBA-ve, e Skandinavisë, e gjer në Australi. Unë për vete mundohem të kuptoj e të luftoj arsyet e pakënaqësive”, ka shkruar ajo në një reagim në Facebook.

Djegien e flamurit të Kosovës ajo e ka konsideruar si veprim normal për të shprehur pakënaqësinë.

“Unë dua shtet, por jo çdo lloj shteti. Një shoqëri ku qytetarët duhet t’i shërbejnë shtetit quhet diktaturë. Demokraci quhet kur shteti u shërben qytetarëve. Nëse shteti cenon kundërligjshëm liritë e qytetarëve, është obligim moral i qytetarit që të shprehë pakënaqësi. Them se ky në fakt është vete thelbi i demokracisë”.

“Kundërshtaret e mi mund të thonë se ky qëndrim më diskualifikon nga politika. Por mua vjen keq pse ata janë kaq analfabetë. Unë për vete them se mu ky qëndrim, e gatishmëria ime që të jetoj ashtu si mësoj, më bën të denjë për parlament”.

“Jam kjo që jam. Kështu jam gatuar, kështu di ta dua unë Kosovën. Pa hile, pa dredha, pa kompromise. Dhe s’e kam hiç ndërmend të ndryshoj për të tjerë”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Faceebook.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme Gazeta Sinjali ka raportuar për rastin e kandidates për deputete nga VV ku ajo shihej në një fotografi duke e djegur flamurin e Kosovës.

Me këtë veprim, aktivistja Mimoza Shala kishte dhunuar dhe përbuzur publikisht flamurin e shtetit duke mos e njohur dhe pranuar atë si simbol përfaqësues. Fotoja është realizuar  më 16 shkurt 2012 pas mesnate në mot me borë./Gazeta Sinjali/