Kancelari i ri austriak, Alexander Schallenberg, vizitoi Brukselin në vizitën e parë ndërkombëtare pas marrjes së postit. Schallenberg tha se një nga përpjekjet kryesore do të ishte afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Schallenberg tha se Austria dëshiron të punojë ngushtë me BE-në për të adresuar sfidat përpara, shkruan Euraktive.
Schallenberg tha se një nga shqetësimet e tij kryesore do të ishte afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE dhe lehtësimi i hyrjes së rajonit në BE.
“Qëllimi më i rëndësishëm i Austrisë është që të mos ketë më ndarje në Evropë,” tha kancelari i ri austriak.
Schallenberg tha në Bruksel se do të ndiqte politikën fiskale konservatore të paraardhësit të tij dhe qëndrimin e vendosur të Austrisë ndaj migrimit.
Kancelari i ri bisedoi në Bruksel më 14 tetor me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Sipas agjencisë AFP, Von der Leyen vlerësoi gjithashtu se fakti që Schallenberg zgjodhi Brukselin për vizitën e parë, paraqet një “sinjal të fortë”.
“Pres një bashkëpunim të mirë. Ne kemi shumë të përbashkëta,” tha Ursula von der Leyen, duke treguar politikën evropiane të klimës, digjitalizimin dhe tejkalimin e pasojave të pandemisë.
“Mund të jeni të sigurt se Austria do të përpiqet të jetë konstruktive, por natyrisht, nëse është e nevojshme, një partner vokal në BE” tha Schallenberg.