image Kamioneta godet dy këmbësore në lagjen "Lakuriq" në Prizren

Siguri

Kamioneta godet dy këmbësore në lagjen “Lakuriq” në Prizren

news image

Një aksident trafiku ka ndodhur para pak kohe në lagjen “Lakuriq” në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Atje një kamionetë ka goditur dy këmbësore, të cilat janë dërguar për tretman mjekësor në Emergjencën e këtij qyteti.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

Gashi tha se një kamionetë e një kompanie në Prizren ka goditur fillimisht një automjet, pastaj dy këmbësore dhe i ka shkaktuar dëm edhe një butiku në rrugën “Zahir Pajaziti”.

“Kemi të lënduar dy persona, dy këmbësore, të cilat janë dërguar në Emergjencën e Spitalit rajonal të Prizrenit. Nuk mund për momentin të flasë për natyrën e lëndimeve të tyre, sepse ende nuk ka përfunduar procedura e ekzaminimit mjekësor. Personi i dyshuar është shoqëruar në njësinë e trafikut rajonal dhe është duke u intervistuar lidhur me këtë rast. Ndërsa me vendin e ngjarjes është duke u marrë njësia e trafikut”, tha ai.

“Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit, por dyshohet se një kamionetë e një kompanie duke lëvizur në rrugën ‘Zahir Pajaziti’, godet fillimisht një automjet dhe pastaj edhe dy këmbësore, por shkaktohet edhe një dëm në një butik në atë rrugë”, tha Gashi. /Gazeta Sinjali/