image Kamberi: Synojmë t’i kemi tre deputetë shqiptarë në Kuvendin e Serbisë

Politikë

Kamberi: Synojmë t’i kemi tre deputetë shqiptarë në Kuvendin e Serbisë

news image

Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet Parlamentare në Republikën e Serbisë, shqiptarët e Luginës së Preshevës do të garojnë me dy lista. Ndërkaq lista, të cilën e përfaqëson ish-deputeti i Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka për synim t’i marrë tri mandate.

Kamberi ka akuzuar shtetin serb për lejimin e garimit në këto zgjedhje, siç tha ai, të kriminelëve serbë gjatë luftërave në Bosnjë dhe Kosovë.

Deputeti shqiptar në legjislaturën e fundit në Serbi, Shaip Kamberi ka thënë se në dy vitet e fundit kemi pasur në vazhdimësi një politikë shtetërore kundërshqiptare, e cila në deklarimet publike ka shprehur gjuhën e urrejtjes edhe ndaj pakicave të tjera, sidomos ndaj shqiptarëve, duke i shpallur si armiq të këtij shteti.

“Me këto cilësime shqiptarët në Luginë do të vazhdojnë të përballën me diskriminimin e shtetit serb”, tha ai.

Sipas tij, kësaj here është një situatë tjetër, nga se në këto zgjedhje do të marrin pjesë edhe partitë opozitare.

“Në fakt nuk kemi asnjë dallim në programet tona, porse kritikat e tyre në drejtim të presidentit Vuçiq janë tepër të buta në raport me Kosovën, tepër të buta në raport me shqiptarët e Luginës, nuk e mohojnë përfshirjen e Serbisë në NATO, nuk janë për ndërprerjen e lidhjes së Serbisë me Rusinë, që do të thotë se Vuçiq do të jetë një patriot pro-serb”, tha Kamberi për RTK-në.

Ndërkaq rreth asaj që kriminelët serbë po marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë dhe reagimit të BE-së për këtë çështje, Kamberi ka thënë se  burokracia e BE-së po reagon me vonesë.

“Kriminelët e luftës janë pjesë e debatit në Republikën e Serbisë në dy vitet e fundit në vazhdimësi  që nga poshtë e lartë  në fjalimet e të gjithëve deri tek presidenti Vuçiq.  Të gjithë kanë refuzuar ta quajnë kriminel Ratko Mlladiqin dhe që murali i tij ruhet nga polica e Serbisë në qendër të Beogradit”, tha Kamberi .

E tash, siç  shprehet ai, kur në Parlamentin e Serbisë do të kemi edhe kriminelë lufte, vjen një reagim i vonuar i BE-së dhe kjo, me gjasë, nuk do të ndikojë tek vota që mos t’u japin atyre.

/GazetaSinjali/