image Kamberi: Serbia shfryn armiqësitë me Kosovën te shqiptarët e Luginës

Politikë

Kamberi: Serbia shfryn armiqësitë me Kosovën te shqiptarët e Luginës

news image

Deputeti Shaip Kamberi ka qenë i zëshëm në ngritjen e shqetësimeve të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë. Kamberi ka deklaruar se Serbia po nxjerr inatin në banorët e Luginës për shkak të armiqësisë që ka ndaj Kosovës, duke i shkelur të drejtat që ju takojnë.

Ai flet edhe për mosrespektimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi nga ana e shtetit serb, duke fajësuar BE-në që nuk po përmbush rolin që ka në këtë proces.

Përfaqësuesi shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se pa demokratizim të Serbisë nuk mund të presin realizim të të drejtave të shqiptarëve në Luginë.

Serbia, si një shtet i papërfunduar, siç thotë ai, nuk njeh ende as kufijtë e vet dhe ka aspirata për territore të shteteve të tjera.

“Nuk mund të vij derisa në Serbi ka klimë e cila mohon krimet e luftës, e cila mohon ekzistimin e varrezave masive, e cila ka një politikë vitet e fundit të glorifikimit të kriminelëve të luftës. Pra, jam munduar të gjitha këto tema t’i prek, për t’i prekur së paku në ndërgjegjen të asaj pjese të Serbisë, që sinqerisht dëshiron Bashkimin Evropian. Ky shtet akoma nuk e ka të qartë, ose së paku publikisht nuk e thonë, se cila është politika e tyre prioritare. Pavarësisht se në deklarimet që flasin për integrimet evropiane si prioritetin e parë të politikës së jashtme të Serbisë, në veprimet e përditshme gjithmonë janë të orientuar me Rusinë dhe Kinën që e shndërron në orientim terciar”, është shprehur ai.

Për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Kamberi ka thënë se BE-ja nuk mund të ketë rolin vetëm të lehtësuesit, por edhe atë të garantuesit të zbatimit të këtyre marrëveshjeve. Ai shprehet se Bashkimi Evropian nuk e ka fuqinë e mjaftueshme për të detyruar Serbinë për të respektuar marrëveshjet e arritura me Kosovën, duke shtuar se shpresë që të arrihet kjo mbetet ShBA-ja.

“BE-ja nuk mund të luajë rolin vetëm të lehtësuesit. Kur ata thonë se ‘do të lehtësojmë bisedimet’, çfarë nënkupton? ‘Do të sjellin ujë të ftohtë në tavolinë, do të sjellin klimatizim’. Esenca nuk është këtu, një ndërmjetësues aq i fuqishëm si Bashkimi Evropian do të duhej të trasojë rrugën në të cilët palët duhet të ecin. Përkundër dhjetë viteve bisedimeve, përkundër shumë marrëveshjeve të arritura, BE-ja nuk po arrin të detyrojë, apo ta bind Serbinë, që ato marrëveshje të respektohen. Prandaj mbetet shpresa që e vetmja fuqi shtytëse janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar ai.

Sa i përket iniciativës “Open Balkan”, kreu i Partisë për Veprim Demokratik ka thënë se nuk mund të jetë e plotë një iniciativë ku nuk përfshihen edhe tri shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor. Mbi të gjitha, ai deklaron se ky koncept po sfidohet rrezikshëm nga koncepti politik serb.

“Kjo iniciativë sado të jetë e vullnetit të mirë, sa do të jetë një dëshirë e të ardhmes së popujve të Ballkanit, po sfidohet rrezikshëm nga bota serbe, nga koncepti politik i botës serbe i cili po shohim po sfidon në Mal të Zi demokracinë duke tentuar që përmes keqpërdorimit të kishës serbe të ndryshohet pushteti atje. Tentativa e Serbisë për të destabilizuar Kosovën dhe përmes serbëve të manipuluar që jetojnë në pjesën veriore, janë sfidat kryesore që po i bëhen këtij koncepti”, është shprehur ai për KP.

Edhe gjatë vitit 2021, Kamberi thotë se Serbia ka vijuar me politikën diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke mos pasur ndonjë përmirësim në jetën e tyre. Edhe plani prej 7 pikashqë përmban çështje jetësore bazike të tilla si arsimi, shëndetësia etj., përkundër mbështetjes së OSBE-së, nuk ka dhënë rezultate.

Në prill të këtij viti do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Serbi. Shaip Kamberi pret nga shqiptarët e Luginës që të garojnë sërish së bashku dhe të jenë katër deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë. Ai nuk pret ndryshime në zgjedhjen e presidentit, meqë sipas tij, nuk do të ketë kandidatë që do e sfidojnë Aleksandër Vuçiqin./GazetaSinjali/