image Kamberi për refuzimin e vizitës së ministrave në Luginë: Dëshmi që Serbia nuk dëshiron t’i relaksojë raportet me Kosovën

Politikë

Kamberi për refuzimin e vizitës së ministrave në Luginë: Dëshmi që Serbia nuk dëshiron t’i relaksojë raportet me Kosovën

news image

Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë ka folur për refuzimin që Serbia ia ka bërë kërkesës së ministrave kosovarë për vizitë në Luginën e Preshevës.

Ai tha se një refuzim i tillë është pritur me indinjatë pasi që, sipas tij, i gjithë opinioni ishte njoftuar se katër ministra nga Qeveria e Kosovës do të vizitojnë Luginën e Preshevës.

“Është pritur me indinjatë pasi që i gjithë opinioni ishte njoftuar se katër ministra nga Qeveria e Kosovës do të vizitojnë Luginën e Preshevës dhe pikërisht në ditën e festës kombëtare, për të bashkëbiseduar për çështje të shumta me interes për Luginë në Preshevës, në radhë të parë dhe për të shkëmbyer idetë, sidomos rreth ndihmës së institucionalizuar të Kosovës që duhet të vijë në Luginë të Preshevës”, tha Kamberi.

Ai tha se një nga arsyet e këtij refuzimi mund të jetë edhe indinjata e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Elbasan.

“Unë nuk jam i njoftuar për arsyet e drejtpërdrejta ka dhënë apo s’ka dhënë Beogradi zyrtar arsye për refuzimin, por mund të jetë një nga arsyet ndoshta indinjata e mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Elbasan, apo fakti se ministrat kanë përzgjedhur datën 28 nëntor, Festën e Flamurit dhe për atë ndoshta edhe nuk kanë dashur që në këtë datë e cila do të madhështohej edhe më tepër t’i japin këtë leje”, u shpreh ai në KlanKosova.

Kamberi tha se kjo është një dëshmi që Serbia nuk dëshiron t’i relaksojë raportet me Kosovën.

“Kjo është edhe një dëshmi e radhës që nuk dëshirojnë të bisedojnë dhe t’i relaksojnë në radhë të parë raportet me Kosovën, por edhe të relaksojnë qasjen e tyre ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha Kamberi.

Tutje, ai tha se Serbia po i shkel disa marrëveshje të arritura në dialog me Kosovën.

“Serbia në vazhdimësi po dëshmon që nuk është e interesuar që të bisedoj me Kosovën në prizmin e njohjes së realitetit i cili është krijuar në Kosovë. Unë në të gjitha debatet parlamentare jam munduar t’i theksojë të gjitha shkeljet që Republika e Serbisë i bën marrëveshjeve të arritura në dialog me Kosovën, pra janë disa marrëveshje që po shkelen nga ana e Serbisë dhe në mes tyre është edhe kjo e qarkullimit të lirë dhe shkëmbimit të vizitave zyrtare”, tha ai./GazetaSinjali/