Ndonëse ka vite që pushimet zgjedh që t’i kalojë në Kosovë, pritjet në kufi për mërgimtarin nga Austria këtë herë kanë qenë të tepërta, madje siç thotë ai asnjëherë më parë nuk i është dashur që të pres aq gjatë për të kaluar kufirin, shkruan Gazeta Sinjali.
Një mërgimtar i cili po kthehej nga Kosova për në Austri ka thënë për Sinjalin se mbrëmë ka pritur në pikën kufitare në Merdare përmbi 9 orë.
“Prej orës 12 i natës deri në ora 9:30 mëngjes, veç në Merdare kena pritë”, ka thënë ky mërgimtar për Sinjalin.
Sipas tij në këtë pikë kufitare gjatë kohës sa ai dhe bashkëshortja e tij kanë pritur në kolonë vetëm një nga sportelet ka qenë e hapur dhe funksionale për të kryer kontrollet që duhet.
Për këtë mërgimtar pritja në kufi nuk ka qenë diçka e pa përjetuar më parë, mirëpo gjatë herave tjera atij nuk i është dashur të pres më shumë se 6 orë.
“Kemi pritur deri në 6 orë, po kjo ishte e tmerrshme. 9 orë shumë të gjata pritje”, shtoi ai për Sinjalin.
Tutje bashkatdhetari ka thënë gjatë pritjes në kufi nuk kanë hasur në probleme tjera.
Kujtojmë se Ministria e Punëve të Brendshme në përditësimin e bërë mbrëmë rreth orës 18:39 ka njoftuar se në Merdarë po pritet deri në 6 orë.
Kurse në përditësimin e bërë sot rreth orës 10:00 MPB ka njoftuar se bashkatdhetarët për të dalë nga Kosova po presin deri në shtatë orë.