image Kadri Veseli nënshtron RTK-në, e detyron ta quajnë kryeministër

Kosovë

Fushatë/ Kadri Veseli nënshtron RTK-në, e detyron ta quajnë kryeministër

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në vazhdën e politizimit të institucioneve publike, ka gllabëruar edhe Radio Televizionin e Kosovës.

Përkundër gojës plotë luftë kundër korrupsionit, keqpërdorimeve dhe punësimeve partiake, kreu i PDK-së, pikërisht mbi këto premisa, po vazhdon me avazin e shpërdorimit politik të institucioneve që do të duhej të ishin të pavarura nga ndikimet politike, shkruan Gazeta Sinjali.

Pretendeti për kryeministër në vend se të krijonte parakushte për pavarësinë editoriale të Transmetuesit Publik, si shtyllë kryesore e lirisë së medies dhe demokracisë, po bëhet vetë rrënuesi i saj duke dhënë shembuj të shpërdorimit dhe ngulfatjes së medieve.

Veseli, duke përdorur pushtetin e etabluar prej kohësh nga PDK në Televizionin e Kosovës po i keqshfrytëzon gazetarët dhe moderatorët e mediumit publik për qëllime të kësaj partie.

Për rrjedhojë, ai ka angazhuar për fushatën e PDK-së, gazetaren dhe moderatoren e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Arlinda Sejda e cila gjatë aktiviteteve partiake dje dhe sot, është zhveshur tërësisht nga petku gazetaresk duke prezantuar me entuziazëm kreun e PDK-së, Kadri Veselin dhe kandidatët PDK-së për deputetë, raporton Gazeta Sinjali.

“Të nderuar të pranishëm, mbështetës dhe simpatizantë të PDK-së kjo parti është parti e lirisë e pavarësisë dhe e shtetndërtimit.Është parti e punëve dhe e projekteve të madhe dhe a e dini përse?, sepse PDK i ka njerëzit më të dëshmuar më të përkushtuar dhe më atdhetarë. Tani ka edhe kandidatët më të mirë në listën zgjedhore dhe ka lider Kadri Veselin, kryeministrin e ardhshëm të Kosovës”, ka prezantuar gazetarja e RTK-së dje në Mitrovicë duke nxitur brohorima për Kadri Veselin.

Arlinda Sejda

Gazetarët e mediumit publik me prezantime partiake dhe pjesëmarrje në fushata politike shkelin rregulloren e mediumit publik për standarde profesionale dhe etike të gazetarisë.

“Një punëtor konsiderohet si pjesëmarrës në fushatën zgjedhore kur ai paraqitet në listën e kandidatëve të miratuar nga partia ose si zëdhënës apo moderator në mbledhjet e partisë ose kur paraqitet në programet argëtuese ose promovuese zgjedhore.”“Nëse ndonjë punonjës i RTK-së përkrah një parti të caktuar politike apo ndonjë opsion tjetër, nxitë ndasi në shoqëri dhe tregohet i njëanshëm, e që publikisht mund të shihet online në (rrjete sociale, bllogjet) kredibiliteti i saj/tij në raportim mund të dëmtohet ashtu si edhe kredibiliteti i RTK-së”, shkruhet në rregulloren e RTK-së, raporton Gazeta Sinjali.

Prezantimi i aktiviteteve partiake nga moderatorja e RTK-së, përvec dëmtimit të kredibilitetit profesional të saj dhe mediumit publik, nga praktikat e deritashme nuk pritet të përcillet me masa sanksionuese për shkak të pushtetit dhe ndikimit të madh politik të PDK-së mbi transmetuesin publik.

Stafi i përgjedhur nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe drejtuesit e kësaj partie janë imunë nga shkeljet disiplinore dhe rregulloret e brendshme të RTK-së të cilat, në rrethana normale, parashohin sanksione të qarta për përfshirjen e stafit në fushata politike.

Përvec, Transmetuesin Publik, Partia Demokratike ka politizuar edhe institucionet tjera të pavarura.

Gazeta Sinjali raportoi dje dhe sot sesi rektori i Universitetit Publik të Ferizajit është bërë pjesë e fushatës së PDK-së duke marr pjesë në hapjen zyrtare të fushatës së kësaj partie në Mitrovicë. /Gazeta Sinjali/