image “Kasetofoni i prishur” i rektorit të Universitetit Publik që mori pjesë në fushatën e PDK-së
[wp-story id="814678"]

Kosovë

Politizimi/ “Kasetofoni i prishur” i rektorit të Universitetit Publik që mori pjesë në fushatën e PDK-së

news image

Rektori i Universitetit Publik të Ferizajt, Agron Bajraktari nuk ka pranuar sot të flas lidhur me përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në fushatë politike si drejtues i institucionit të arsimit të lartë.

Gazeta Sinjali ka raportuar dje sesi rektori Bajraktari, i cili do të duhej të ishte apolitik të paktën në shfaqjet e tij publike, është parë në hapjen zyrtare të fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë.

I kontaktuar sot nga Gazeta Sinjali, rektori Bajraktari është shfaqur arrogant gjatë bisedës telefonike, duke mos u përgjigjur në asnjë pyetje të redaksisë.

Fillimisht ai ka thënë se është i zënë në një takim, por përkundër kësaj deklarate ka mbajtur hapur telefonin duke përsëritur fjalën “Lexo ligjin!”, sa herë që Gazeta Sinjali e ka pyetur z. Bajraktari për përfshirjen e tij në politikë si drejtues i institucionit publik të arsimit të lartë dhe deklaratat e mëhershme kur kishte mohuar se i përkiste ndonjë partie.

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari, i është shmangur përgjigjeve duke përsëritur për 14 herë fjalën “Lexo ligjin, lexo ligjin, lexo ligjin……….”

Ai ka vazhduar me këtë ritëm mbi një minutë derisa sa është paralajmëruar nga redaksia se kjo përgjigje do të konsiderohej zyrtare dhe do të publikohej në Gazetë si qëndrim i tij, atëherë ka ndërprerë telefonin dhe më nuk ka pranuar të flas.  

Ndërkohë, drejtori i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, (ORCA), Rron Gjinovci ka deklaruar për Gazetën Sinjali se Universitetet Publike duhet të jenë të mbrojtura nga ndikimi politik dhe se shfaqja e rektorëve nëpër  fushata është automatikisht pjesëmarrje në ndikim politik.  

“Unë mendoj që nuk është veprim i duhur asnjë rektor me marr pjesë  në fushatë elektorale. Totalisht është në shkëputje me misionet e Universiteteve Publike, të cilat duhet me qenë të pavarura dhe të mbrojtura prej ndikimeve politike. Pjesëmarrja e rektorit në fushatë është automatikisht pjesëmarrje në ndikim politik”, ka thënë Gjinovci për Gazetën Sinjali.

Kujtojmë se në fillim të këtij muaji, rektori Agron Bajraktari kishte deklaruar për medie se nuk është pjesë e ndonjë partie politike kur ishte pyetur për një fotografi që kishte dalë së bashku me zyrtarin e PDK-së, Sejdi Hoxha në një aktivitet fushate. 

“I nderuar, unë nuk kam qene kurrë dhe nuk jam anëtar i asnjë partie politike!”, kishte thënë ai duke mos u përgjigjur se cila ishte arsyeja që ai u bë pjesë e atij tubimi të zyrtarit të PDK-së.

Por, prania e djeshme e Rektorit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari, në hapjen zyrtare të fushatës së PDK-së e dëshmoi të kundërtën e asaj që kishte thënë duke nxjerr në sipërfaqe hipokrizinë dhe papërgjegjshmërinë e deklarimeve të këtij zyrtari para publikut.

Partia Demokratike e Kosovës është subjekti politik që prin me politizimin e ndërmarrjeve të pavarura dhe të institucioneve publike në Kosovë. Drejtuesit e kësaj partie, të cilët në këtë fushatë e kanë gojën plotë luftë kundër korrupsionit, në praktikë i kanë gllabëruar politikisht shumë prej institucioneve të Republikës së Kosovës.

Për më keq, ky politizim ka arritur në majat e institucioneve të  larta të arsimit publik, aty ku politika nuk do të duhej t`i fuste fare duart që t`i   keqpërdorte politikisht asetet e qytetarëve, për t`i rehatuar simpatizantët dhe militantët partiakë, raporton Gazeta Sinjali./Gazeta Sinjali/