Gabriel Jesus do të humbasë fillimin e kampionatit të ri të Premier Lague për sezonin 2023-24, pasi pritet të mungojë për disa javë.
Sulmuesi brazilian nuk u shfaq për ndeshjen e fundit miqësore parasezonale të klubit dje ndaj Monacos në kuadër të “Emirates Cup”.
‘Gunners’ barazuan 1-1 me skuadrën franceze, por fituan më pas nëpërmjet penalltive.
Tekniku i londinezëve, Mikel Arteta konfirmoi lëndimin e Jesus pas ndeshjes, duke thënë se do të mungojë për disa javë.
“Ai bëri një procedurë të vogël këtë mëngjes, ai është lënduar për fat të keq. Ai kishte disa shqetësime në gjurin e tij që i shkaktoi disa probleme. Ai do të jetë jashtë për disa javë”, tha Arteta mbrëmë pas ndeshjes.
Spanjolli është pyetur nëse lëndimi i Jesus do të ndryshojë planet për sulmuesin tjetër, Folarin Balogun, i cili pritet të largohet këtë verë.
“Plani me Balogun nuk ndryshon fare, por për fat të keq, me Gabby… nuk do ta kemi [për disa javë]. Ne kemi mundësi të tjera për të luajtur me kualitete të ndryshme lojtarësh, ndaj do të përshtatemi”, përfundoi ai.