image Java e Minatorëve, Kurti: ‘Trepçën’ ta kthejmë në një pasuri minerare

Politikë

Java e Minatorëve, Kurti: ‘Trepçën’ ta kthejmë në një pasuri minerare

news image

Manifestimi tashmë tradicional “Java e Minatorëve” ka filluar sot në Stantërg në shenjë përkujtimi të 34-vjetorit të grevës historike të minatorëve të Trepçës, e cila pati lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me këtë rast tha se nga një gjingant i fjetur, synojnë që “Trepçën” ta kthejnë në një pasuri minerare.

Të pranishëm në këtë manifestim ishin autoritete të larta shtetërore, komunale, udhëheqës të institucioneve, ish pjesëmarrës të grevës së lavdishme, minatorë, etj.

Kreu i ekzekutivit Kurti, duke kujtuar ngjarjet e 34 viteve më parë, tha se komuniteti minerar i Mitrovicës me minatorët e Trepçës u kthye nga një grup punëtorësh prej djersës së të cilëve ndërtohej në të gjithë Jugosllavinë, në një kolektiv profesional të organizuar politikisht, nga i cili filloi edhe shpërbërja e Jugosllavisë.

Sipas tij, sfida e të gjithëve për Trepçën dhe posaçërisht e qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, ajo të kthehet në burim pasurish minerare.

Ai theksoi se toka dhe nëntoka e Kosovës janë fati i përbashkët i të gjithëve, ndërsa minatorët janë në qendër të kësaj historie, të tashmes dhe të ardhmes së përbashkët.

“Derisa e kujtojmë grevën e vitit 1989 të minatorëve të Trepçës, 34 vjet më pas, duke kujtuar kapacitetet e atëhershme të saj dhe intensitetin e nivelit të punës sot, sfida e të gjithëve për ‘Trepçën’ dhe posaçërisht e qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, ‘Trepça’ të kthehet në një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës të kësaj ndërmarrje përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore. Toka dhe nëntoka jonë janë fati ynë i përbashkët, ndërsa minatorët janë në qendër edhe të historisë tonë, por edhe të së tashmes dhe të ardhmes sonë”, ka thënë Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u shpreh të jetë krenare me arritjet e “Trepçës” gjatë dy viteve të fundit.

Ajo premtoi mbështetjen e qeverisë për “Trepçën” edhe në të ardhmen, sidomos në modernizimin e teknologjisë.

“Ne gëzohemi dhe jemi krenarë me arritjet e ‘Trepçës’ gjatë këtyre dy viteve të fundit dhe zotohemi se do të vazhdojmë të përkrahim ‘Trepçën’ në mënyrë që teknologjia e saj të modernizohet, performanca e saj të rritet, dhe poashtu mirëqenia e Mitrovicës dhe mbarë Kosovës të rritet”, theksoi Rizvanolli.

Enis Abdurrahmani, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Trepça”, ka potencuar se greva e minatorëve në kontekstin historik mund të cilësohet si rezistencë e dyfishtë, paqësore për të mbrojtur ekzistencën e shqiptarëve, dhe si rezistencë e suprimimit të autonomisë së vendit.

“Në kontekstin historik greva e minatorëve të ‘Trepçës’ mund të cilësohet si rezistencë e dyfishtë, fillimisht si rezistencë aktive paqësore për të mbrojtur ekzistencën e popullit shqiptar në periudhën e okupimit klasik nga Serbia, dhe së dyti si rezistencë e suprimimit arbitrar të autonomisë së Kosovës”, u shpreh Abdurrahmani.

Se greva e greva e minatorëve të “Trepçës” ishte e para që nuk ka përmbajtur kërkesa sociale porse politike, e tha kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza.

‘Për mua kjo ngjarje është edhe emocion, sepse si ish punëtor i Kombinatit ‘Trepça’, si ish-pjesëmarrës i grevave të minatorëve, normalisht se është ndjenjë dhe emocion. Ka qenë ndër grevat e para që nuk ka përmbajtur kërkesa sociale, por politike”, tha ai.

Në anën tjetër, Gëzim Kalaja, kryetar i Sindikatës së minatorëve të Shqipërisë, ka deklaruar tre gjëra për të cilat tha se minatorët duhet të angazhohen dhe kërkojnë.

Ai përmendi kontratën kolektive, ngritjen e pagave dhe sigurimin, si dhe moshën e pensionit, për të cilat tha se minatorët duhet të luftojnë.

“Do deklaroj tre gjëra që ju duhet t’i keni: duhet të luftoni për lidhjen e kontratës kolektive që është Kushtetutë për ju, për ngritjen e pagave e sigurimin teknik dhe për moshën e pensionit dhe ngritjen e pagesës së pensionit”, tha ai.

Ndryshe, me rastin e këtij përvjetori, sindikata e punëtorëve të “Trepçës” ka organizuar aktivitete të ndryshme të cilat do të mbahen deri më 28 shkurt

/GazetaSinjali/