image Jashari: Jemi të gatshëm si shtet edhe si shoqëri t’i dalim zot vendit tonë

Politikë

Jashari: Jemi të gatshëm si shtet edhe si shoqëri t’i dalim zot vendit tonë

news image

Ish-kryetari i Komunës së  Skenderajt, Bekim Jashari ka reaguar pas situatë së krijuar në veri të Kosovës nëpërmjet një postimi në profilin e tij Facebook.

Ai ka shkruar se Republika e Kosovës si shtet i pavarur, është ndërtuar mbi parimet demokratike që sigurojnë liri dhe të drejta të plota për secilin qytetarë të saj, pa dallim.

“Veprimet e fundit të shtetit tonë, policisë së shtetit nuk duhet të shikohen e gjykohen ndryshe pos si zbatim i detyrave të përcaktuara nga kushtetuta jonë e të njohura edhe me konventa ndërkombëtare.  Shtrirja e sovranitetit shtetëror në çdo cep të territorit është obligim që duhet realizuar medoemos”, tha Jashari.

Më tej ai ka shkruar se si shtet i ri, nga negociatat e shumta që kemi pasur kemi bërë kompromise të dhimbshme në emër të ruajtjes së paqes, stabilitetit rajonal dhe miqësisë nderkombëtare.

Ish-kryetari i Skënderajt tha se me të drejtat që u kanë garantuar me kushtetutë komuniteteve pakicë, kanë dhënë shembull në Evropë dhe botë sa i përket respektimit të lirive dhe të drejtave në shkollim, punësim, pjesëmarrje në qeverisje etj.

“Pra kemi dhënë aq shumë në luftë dhe në paqe, e po ashtu edhe në tavolinë në negociata e bisedime dhe tani e vetmja gjë që duhet bërë është ofrimi i sigurisë për banorët në veri dhe zhvillimi i kësaj pjese të vendit nëpërmjet punësimit dhe krijimit të perspektivës për të gjithë pa dallim”, tha Jashari.

Më tej ai ka theksuar se njëkohësisht Evropa dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtar duhet të shohin politikën destruktive të Beogradit dhe të merren seriozisht me kërcënimet e Serbisë dhe atyre që ende jetojnë me iluzione e propaganda të Millosheviqit të cilat rrezikojnë stabilitetin e Ballkanit dhe me gjerë.

“Barrikadat në veri duhet të largohen menjëherë, qytetarët atje nuk duhet të vazhdojnë të mbahen peng nga politika e Beogradit”, ka theksuar Jashari.

Më tej ai ka shkruar se shtetin tonë nuk mund të kërcënojë dhe as cenojë askush nga Serbia.

“Ne jemi të gatshëm si shtet por edhe si shoqëri që t’i dalim zot vendit tonë, në jetësim të amanetit të heronjve, dëshmorëve e martirëve të lirisë”, tha Jashari.

Sipas tij në gjithë këtë rrugë, jetike mbetet unifikimi i spektrit politik në vend për të përmbyllur këtë kapitull, në koordinim të plotë me ShBA-të dhe shtetet e Evropës e botës demokratike.

“Krenar me Policinë tonë që pavarësisht rrethanave qëndrojnë në shërbim të shtetit dhe sigurisë së qytetarëve të Kosovës. Bashkë. Mos bli prodhime serbe”, ka përfunduar Bekim Jashari.

/GazetaSinjali/