Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Japonisë në Kosovë, Mitsunori Ogasawara, shkuan Gazeta Sinjali.
Sipas komunikatës së MFT-së, në këtë takim u diskutua në lidhje me gjendjen emergjente në Kosovë, për shkak të pandemisë Covid19, masat që Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë, si dhe mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve pas përfundimit të pandemisë.
“Ministri Bislimi gjatë takimit theksoi progresin e deritanishëm në zbatimin e Pakos Fiskale Emergjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por gjithashtu shprehi nevojën për ndihmën e bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë për tejkalimin e kësaj situate”, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.
Ndërsa, ambasadori japonez Ogasawara, citohet të ketë shprehur mirënjohje ndaj Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e situatës së pandemisë.
Gjithashtu, bëhet e ditur se ambasadori japonez ka treguar gatishmërinë e shtetit të Japonisë për ta ndihmuar Kosovën në përballimin e pasojave të shkaktuara.
“Ambasadori po ashtu theksoi mundësinë e bashkëpunimit në mes të Japonisë dhe Kosovës në fushën e biznesit pas përfundimit të gjendjes së pandemisë dhe normalizimit të situatës”, thuhet në kumtesë./Gazeta Sinjali/