image Jamie Shea: NATO në Kosovë, derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës

Siguri

Jamie Shea: NATO në Kosovë, derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës

news image

Ish-zëdhënësi i NATO-s, në kohën e luftës së Kosovës, Jamie Shea, tha se prania ushtarake e NATO-s në Kosovë është ende e nevojshme.

“Arsyeja e parë është krejt pragmatike. Përderisa NATO dhe shumë shtete që kontribuojnë me trupa ushtarake do të jenë të pranishme në Kosovë, ato do ta kenë Kosovën në ekranet e radarëve të tyre diplomatikë”, tha ai për televizionin publik të Kosovës.

Ai theksoi se po të ishte pjesë e lidershipit të Kosovës, do të përqendrohej para së gjithash në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe të aftësisë së tyre për të ndërmarrë detyra të shumëllojshme të sigurisë, duke përmirësuar pajisjet e tyre, si dhe me trajnime e ushtrime.

Intervista e plotë e Ish-zëdhënësit të NATO-s, në kohën e luftës së Kosovës, Jamie Shea:

22 vjet pas fushatës ajrore kundër caqeve të ushtrisë së Serbisë, që përfunduan luftën dhe rezultuan me vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë, a mendoni që prania ushtarake ndërkombëtare është ende e nevojshme për të ruajtur paqen?

Jamie Shea: Po, unë besoj që prania ushtarake e NATO-s/KFOR-it është ende e nevojshme në Kosovë. Arsyeja e parë është krejt pragmatike. Përderisa NATO dhe shumë shtete që kontribuojnë me trupa ushtarake do të jenë të pranishme në Kosovë, ato do ta kenë Kosovën në ekranet e radarëve të tyre diplomatikë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe ministrat e mbrojtjes e të jashtëm të vendeve të NATO-s do ta vizitojnë Prishtinën periodikisht. Do të kenë interes për Kosovën dhe do të mbajnë kontakte me lidershipin politik. Ato do kenë interes të theksuar për negociatat Prishtinë-Beograd dhe për sigurinë e Kosovës në rajon në të ardhmen.

Kjo vlen veçanërisht për Shtetet e Bashkuara dhe për ata aleatë që nuk janë anëtarë të BE-së dhe që rrjedhimisht nuk janë formalisht të ndërlidhura me dialogun Prishtinë-Beograd. Kjo përfshirje e gjerë ndërkombëtare është në të mirë të Kosovës.

Ky element i parë është i lidhur me arsyen e dytë. Situata politike dhe e sigurisë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është ende e brishtë. Nuk shoh që do të ketë ndonjë konflikt të ri, mirëpo prania e vazhdueshme e KFOR-it ushtron një ndikim të zbutjes dhe nuk lejon asnjë akt të njëanshëm apo ekstremist. Ndihmon që edhe Prishtina edhe Beogradi të rrinë të përqendruar në shtegun diplomatik.

Po ashtu, u jep siguri të gjithë njerëzve të Kosovës se ata kanë një të ardhme të sigurt brenda vendit. Unë besoj se KFOR-ir duhet të qëndrojë në Kosovë deri kur Serbia të njohë formalisht Kosovë shtet të pavarur e sovran dhe deri sa të normalizohen plotësisht marrëdhëniet. Kam thënë edhe më parë, nuk mendoj që Serbia duhet të anëtarësohet në BE para se të njohë Kosovë dhe të përkrahë kandidaturën e saj për në BE.

Arsyeja e tretë dhe e fundit është se KFOR-i ndihmon në formim dhe trajnim të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK). Ata zhvillojnë marrëveshjet e partneritetit midis NATO-s dhe Prishtinës. Duke afruar FSK-në më afër standardeve të NATO-s, ndihmojnë integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike. Shpresoj që së shpejti Kosova do të jetë pjesëmarrëse me të drejta të plota në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe të ketë qasje të plotë në të gjitha mjetet dhe aktivitetet bashkëpunuese që ofron ky mekanizëm.

Kuvendi i Kosovës ka votuar për t’ia ndërruar mandatin Forcës së Sigurisë së Kosovës nga një organizatë për emergjenca për t’i shndërruar në Forca të Armatosura në kuptimin e plotë të fjalës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Stoltenberg ka thënë së voni se “vendimi (për t’ia ndërruar mandatin) është marrë në kundërshtim me sugjerimin e Këshillit të NATO-s dhe se NATO do të vazhdojë mbështetjen dhe zhvillimin e FSK-së vetëm në bazë të mandatit fillestar, dmth, si organizatë për emergjenca”.

A mendoni që Kosova duhet ta ketë Ushtrinë e saj?

Jamie Shea: Po të isha pjesë e lidershipit të Kosovës, do të përqendrohesha para së gjithash në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe të aftësisë së tyre për të ndërmarrë detyra të shumëllojshme të sigurisë, duke përmirësuar pajisjet e tyre si dhe me trajnime e ushtrime.

NATO është partneri thelbësor në këtë aspekt. Në këtë fazë nuk do të brengosesha për etiketat apo simbolet si “Ushtria e Kosovës”, veçanërisht sepse hë për hë nuk ndihmojnë në aspekt të garantimit të ndihmës esenciale për Kosovën nga aleatët transatlantikë.

Më parë të shohim si mund të maksimizojmë zhvillimin e FSK-së në mandatin ekzistues dhe ta bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur bashkëvepruese me NATO-n.

Etiketat kanë më pak rëndësi se: a është FSK-ja e aftë të mbrojë sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës përballë sfidave të tanishme, siç është pandemia Covid-19, fatkeqësitë natyrore dhe qëndrueshmëria e infrastrukturës më të rëndësishme?

Një zhvillim shumë i mirëseardhur është një njësie FSK-së do të dërgohet në Kuvajt ku do të shërbejë në një mision ndërkombëtar paqeruajtës. Ky lloj i bashkëpunimit ndërkombëtar duhet të jetë prioritar, pasi do t’i japë FSK-së një përvojë të vlefshme. Andaj le të përqendrohemi për ta bërë FSK-në të aftë për sigurinë e brendshme, pasi KFOR-i është aty për ta ruajtur sigurinë nga jashtë.

Më shumë se dy dekada nga përfundimi i luftës dhe 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ende nuk është arritur marrëveshja, edhe pse të dy shtetet janë duke negociuar me ndihmën dhe ndërmjetësimin e BE-së. Ndërkohë ka pasur një përpjekje të administratës së SHBA-së për të përshpejtuar procesin e njohjes së ndërsjellë.

A mendoni se do të ketë në të ardhmen e afërt marrëveshje midis dy shteteve?

Jamie Shea: Mendoj se pajtimi midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut (kjo e dyta tani brenda NATO-s) apo njohjet e fundit të Izraelit nga katër vende arabe e myslimane, dëshmojnë se edhe mosmarrëveshjet më të ndërlikuara mund të shkrihen papritmas. Andaj, po, herët a vonë do të ketë një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit. Kosova është shtet i pavarur dhe Serbia e di këtë. Andaj cila është alternativa?

Një marrëveshje është në me tepër interes për të dy vendet dhe kruciale për stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Një pjesë e madhe e kësaj baze tashmë është shtruar në dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja si dhe me marrëveshjen e negociuar nga administrata e Trump-it.

Bashkërendimi SHBA-BE do të jetë me rëndësi të veçantë dhe administrata e Biden-it është përplot me ekspertë për Ballkanin, të cilët e njohin mirë rastin e Kosovës dhe që janë të gatshëm të punojnë me Brukselin për ta zgjidhur atë.

Korniza e jashtme është thelbësore, por çka na duhet është edhe liderë në Serbi dhe Kosovë që janë të gatshëm të bëjnë ujdi dhe të kenë guximin politik t’ia shesin atë elektoratit të tyre. Zakonisht kjo nënkupton kompromis nga të dyja palët dhe gatishmëri për të vënë interesin e shtetit para atij të popullaritetit vetanak.

Në zgjedhjet kombëtare të 14 shkurtit, Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti fitoi gati gjysmën e ulëseve në Kuvend. Kurti nuk konsideron se negociatat me Serbinë janë prioritet për qeverinë e tij. Para disa vitesh Vetëvendosje ka kritikuar edhe intervenimin e NATO-s në ish-Jugosllavi. Si e shihni ju këtë rrëshqitje të votuesve të Kosovës kah politikat e krahut të majtë?

Jamie Shea: Interpretimi im për zgjedhjet e fundit në Kosovë është se kishte një votë proteste kundër partive politike që kanë dominuar politikën e Kosovës që nga pavarësia e këtej. Votuesve u erdhi te hunda korrupsioni dhe pabarazia ekonomike. Ata deshën ndryshim brenda shtëpisë dhe jo një riorientim rrënjësor të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Kosovës.

Kohët e fundit kemi parë në disa vende të Evropës se si votuesit e frustruar i kanë përkrahur udhëheqësit dhe partitë populiste, dhe në këtë aspekt as Kosova nuk dallon.

Sidoqoftë, pasi morën pushtetin këto parti populiste nuk e kryen punën mirë e as nuk gjetën zgjidhje të vërteta për problemet e brendshme. Por, unë nuk do të paragjykoj dhe i dëshiroj punë të mirë kryeministrit të ri dhe qeverisë së tij. Ai e di që qeverisja është diçka tjetër nga fushatat elektorale. Ai do të vlerësohet për atë që bën në të mirë të Kosovës pasi të jetë në pushtet.

Personalisht besoj që Kosovës i duhet një periudhë e qetësisë, e qeverisjes kompetente, ndërtimi i koalicioneve për reformë të brendshme, veprime konstruktive me fqinjët e shtetit dhe integrim hap pas hapi në strukturat euroatlantike.

Qeveria e re duhet të dëshmojë që është partner i besueshëm i NATO-s dhe BE-së dhe se Kosova do t’i zbatojë të gjitha zotimet që dalin nga dialogu Prishtinë-Beograd. Nuk ka asnjë arsye të thuhet që një qeveri e krahut të majtë nuk mund të jetë e suksesshme. A nuk ishte udhëheqësi i një partie radikale të krahut të majtë në Greqi, kryeministri Cipras, i cili arriti një marrëveshje historike me Maqedoninë e Veriut?/Gazeta Sinjali/