Inteligjenca e njeriut varet më pak nga madhësia e trurit sesa nga mënyra e strukturimit të tij, është përfundimi i një studimi shkencor ndërkombëtar, i udhëhequr nga studiues nga Universiteti i Vjenës.
Shkencëtarët deri më tani e kanë ekzagjeruar lidhjen midis madhësisë së trurit dhe aftësive intelektuale të një personi, shpjegoi Jakob Pietschnig, një ekspert i shkencës njohëse dhe një nga autorët e studimit.
“Rregullimi i korteksit, trurit të mesëm dhe trurit të vogël është shumë më i rëndësishëm për inteligjencën njerëzore, si dhe lidhja e mirë midis lëndës së bardhë dhe gri”, deklaroi ai dhe shtoi se madhësia e masës së trurit në vetvete është më pak e rëndësishme.
Peitschnig dhe ekipi i tij analizuan 88 studime të mëparshme mbi këtë temë, të cilat mbuluan 8 mijë raste dhe botuan gjetjet e tyre në revistën Neuroscience & Biobehavioral Reviews.
Shkencëtarët kanë zbuluar gjithashtu se burrat, të cilët zakonisht kanë tru më të madh se gratë, nuk kanë provuar se kanë aftësi njohëse më të përparuara sesa gjinia e kundërt.
Pjesëmarrësit në hulumtim, truri i të cilëve ishte shumë më i madh se mesatarja treguan rezultate edhe më të dobëta në testet e inteligjencës, vuri në dukje shkencëtari vjenez.
Si provë që struktura e trurit është më e rëndësishmja, Pietschnig përmendi shembullin e një balene e cila, me gjithë trurin e saj të madh me peshë nëntë kilogramë, nuk konsiderohet tepër inteligjente./Gazeta Sinjali/