Për dialogun kundër dhunës, përvojën e Triolit të Jugut si rolin e komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e konflikteve në mes të vendeve është folur të mërkurën në Prishtinë në një diskutim të organizuar nga Ambasada e Austrisë dhe Italisë në Kosovë, dhe Universiteti i Prishtinës me temën: Dialogu kundër dhunës: Çështja Trentino-Alto Adige/Sudtirol dhe mbrojtja e komuniteteve joshumicë. Ndonjë mësim për ta mësuar?
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu ka thënë se historia e çështjes së Tiolit të Jugut mund të jetë model frymëzues për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Trentino dhe Tiroli i Jugut përjetuan një shekull të 20-të kompleks dhe delikat për sa i përket identitetit. Këto dy provinca, që i përkasin respektivisht Perandorisë shumëkombëshe të Habsburgëve dhe shtetit-komb italian, kanë qenë protagonistë të faqeve të rëndësishme të historisë: koha e nacionalizmave më të nxehta, stuhia e Luftës së Parë dhe e Dytë Botërore, kriza e Tirolit të Jugut pas vitit 1945; por edhe stinët e shpengimit, falë Marrëveshjeve dhe Statuteve të autonomisë që u japin tirolëve të Jugut kompetenca të gjera legjislative dhe administrative për mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës së tyre dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Një model që, në këto kohë të vështira të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të jetë frymëzues për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për një çështje afatgjatë në thelb të normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve”, ka thënë ambasadori i Italisë në Kosovë.
Ai ka shtuar se në fund të Luftës së Dytë Botërore, çështja e fatit të Tirolit të Jugut u ngrit sërish në nivel ndërkombëtar dhe se fati i krahinës kufitare u vendos në tryezat ndërkombëtare të marrëveshjeve të paqes.
Në këtë diskutim ka folur edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidenger.
“Ideja e këtij evenimenti është që ne e kemi planifikuar këtë ngjarjeje, sepse këtë vit është 50 vjetori i të ashtuquajturit statut i dytë i autonomisë për të cilin do të dëgjoni gjatë ditës së sotme. Pra, dy përvjetorë dhe kjo është arsyeja pse dy ambasadat i kemi bashkuar në planifikimin e këtij eventi. Dhe sigurisht, jam shumë i kënaqur që sot kemi folës të dalluar këtu, nga të dy vendet dhe dua të falënderoj profesorin Jovani Bernardini për pranimin e ftesës sonë dhe gjithashtu ambasadori Helmut Tichy i cili është jo vetëm këshilltar ligjor i Ministrisë së Jashtme austriake dhe diplomat me shumë përvojë, por edhe një nga ekspertët më të shquar të së drejtës ndërkombëtare në Austri”, ka thënë ambasadori Weidinger.
Ndërsa Giovanni Bernardini, profesor në Universitetin e Veronës ka thënë se është dëshmuar që konfliktet e gjata dhe të dhimbshme mund të zgjidhen si dhe të mund të lindin forma të reja të bashkëpunimit në mes vendeve.
“Falënderoj veçanërisht dy ambasadat e Italisë dhe Austrisë për ftesën në këtë ngjarje shumë të rëndësishme, pasi dëshmon se jo vetëm konfliktet e gjata dhe të dhimbshme mund të zgjidhen mes dy vendeve, por mund të lindin edhe forma të reja partneriteti dhe bashkëpunimi. Dhe më lejoni të flas si qytetar evropian më shumë se një historian akademik, ky është një mesazh që na nevojitet dëshpërimisht gjatë këtyre ditëve në Evropë”, ka thënë ai.
Sipas diplomatit Helmut Tichy, e drejta ndërkombëtare ka zhvilluar në Evropë konventat për mbrojtjen e pakicave.
“Unë mendoj se e drejta ndërkombëtare ka zhvilluar vërtet në Evropë konventat për mbrojtjen e minoriteteve, ne kemi ligj për mbrojtjen e minoriteteve, kështu që e gjithë kjo forcon interesin legjitim të një shteti për mirëqenien e popullsisë në shtetin tjetër, lidhur për popullatën në shtetin tjetër”, ka thënë ai.
Arben Hajrullahu, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se politikanët nuk duhet të ndalën në kërkimin e të ashtuquajturit tip ideal për çdo rast të veçantë se si të zgjidhjet dhe përshtatet diversiteti.
“Dhe gjithmonë e kam pyetur veten, se cili mund të jetë roli i akademisë dhe universiteteve për të kapërcyer ndarjet brenda shoqërive, si dhe për të ardhur deri tek të ashtuquajturat zgjidhje evropiane. Ne e dimë që ballafaqimi me komunitetet joshumicë nuk ekziston, nuk ekziston si model i vetëm evropian, por çdo model ka nevojë dhe duhet për çdo model të ketë parasysh karakteristikat e tyre specifike. Megjithatë, mendoj se akademia, universitetet, por edhe politikanët nuk duhet të ndalen në kërkimin e të ashtuquajturit tip ideal për çdo rast të veçantë, si të zgjidhet dhe si të përshtatet diversiteti. Dhe mendoj se sfidat në këtë pjesë të botës, jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan janë të ngjashme me sfidat në vende të ndryshme, apo në vende të tjera evropiane apo në kontinente të ndryshme”, ka thënë ai./kp