image Italia vendos shtetrrethimin mbarëkombëtar

Evropë

Italia vendos shtetrrethimin mbarëkombëtar

news image

Qeveria italiane njoftoi sot një sërë masash të reja antiCOVID-19, duke përfshirë një shtetrrethim në të gjithë vendin dhe rregulla më të rrepta për rajonet me norma të larta infektimi.

Krahas një shtetrrethimi nga ora 22:00 deri në 05:00, kufizimet e reja në mbarë vendin përfshijnë mbylljen e muzeve, mësimin në internet për studentët e shkollave të mesme dhe universiteteve dhe numër të reduktuar të pasagjerëve në transportin publik, raporton ATSh, transmeton Gazeta Sinjali.

Dekreti i nënshkruar nga kryeministri, Giuseppe Conte parashikon edhe masa shtesë për rajonet e shënuara me “portokalli” dhe “të kuqe”, ku rreziku i infektimit është më i lartë.

Në rajonet “portokalli”, baret dhe restorantet do të mbyllen dhe banorët nuk do të lejohen të hyjnë ose të largohen nga kjo zonë ose të udhëtojnë midis qyteteve që janë në zona “portokalli”. Përjashtime do të bëhen për arsye pune ose me rëndësi thelbësore.

Në rajonet “e kuqe”, përveç këtyre masave, do të mbyllen edhe të gjitha dyqanet, përveç atyre që shesin ushqime, ilaçe dhe gjëra të tjera të domosdoshme. Mësimi në distancë do të shtrihet për të përfshirë dy klasat para shkollës së mesme.

Dispozitat do të nisin zbatimin nga e enjtja deri më 3 dhjetor. /Gazeta Sinjali/