Nënsekretari i Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme, Benedetto Della Vedova, deklaroi të mërkurën se Italia e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, duke shtuar vendi i tij mund ta thjeshtësojë procesin e marrjes së vizave italiane për qytetarët e Kosovës deri në liberalizim.
Vedova tha në një konferencë për media në Prishtinë, se heqja e vizave do të ishte e rëndësishme për marrëdhëniet kulturore, ekonomike e në veçanti për studentët që duan të kryejnë studime jashtë shtetit.
Sipas tij, disa çështje që nuk priten, kanë ndodhur me sulmin e pa justifikueshëm të Rusisë në Ukrainë, i cili ka nisur më 24 shkurt të këtij viti.
Ai po ashtu tha se janë disa parti në Evropë që e shohin këtë gjë si problem.
“Ajo çka mund të bëjmë si Itali deri të ndodhë liberalizimi është thjeshtësimi sa më shumë i procedurave për ata që kërkojnë viza të Italisë. Nuk mund të përgjigjem për dyshimet që kanë vendet tjera. Personalisht nuk kam frikë nga rritja e numrit te emigrantëve, por janë disa parti në Evropë qe e shohin si problem“, deklaroi Vedova.
Ai tutje shtoi se qasja e Kosovës në dialogun me Serbinë është e sinqertë.
“Qasja e sinqertë e Kosovës në këtë dialog. Nuk e konsiderojmë të nevojshëm një emisar të veçantë, për me rendësi të arrihet deri tek qëllimi”, vijioi tutje Vedova.
Ai foli edhe për takimet që i zhvilloi në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, ku tregoi që është takuar me kryeministrin Kurti, me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmetaj, me Saranda Bogujevcin, me kryetarët e grupeve parlamentare dhe takime me OJQ të ndryshme në Kosovë dhe që të gjitha këto takime i cilësoi si pozitive.
Ai shtoi se aty pati mundësinë të theksonte mbështetjen e plotë të Italisë për popullin dhe institucionet kosovare.