Disa shefa të mafive italiane janë liruar nga burgjet në bazë të rregullave të reja për koronavirusin, njoftoi prokurori shtetëror anti-mafia në Itali.
Francesco Bonura, një shef me ndikim në grupin sicilian “Cosa Nostra”, Vincenzo Iannazzo, anëtar i grupit “Ndrangheta”, dhe Pasquale Zagaria, anëtar i grupit “Casalesi”, janë vendosur në arrest shtëpiak, tha prokurori Federico Cafiero De Raho.
Për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit brenda burgjeve dhe qendrave korrektuese, qeveria italiane e ka autorizuar vendosjen e të burgosurve që u kanë mbetur më pak se 18 muaj dënim në arrest shtëpiak.
Prokurori De Raho tha se këta tre persona janë duke u mbajtur në masa të veçanta të izolimit për ta shmangur kontaktin me personat jashtë burgut për shkak të roleve që kanë pasur në organizatat mafioze.
Ai shtoi: “Posa të dërgohen në shtëpi, këto masa sigurisht që nuk do të zbatohen më”, shkruan “CNN”.