image Italia lehtëson masat e izolimit, rrugët e sheshet mbushen me njerëz

Botë

Pandemia/ Italia lehtëson masat e izolimit, rrugët e sheshet mbushen me njerëz

news image

Shumë italianë kanë dalë rrugëve dhe shesheve të hënën pas vendimit të qeverisë për t’i lehtësuar masat e izolimit shkaku i krizës së koronavirusit.

Në Venecia, ku rrugët e boshatisura ishin një simbol i hershëm i krizës në Evropë, Sheshi Shën Marku ishte plot me njerëz sot, shkruan “Daily Mail”.

Stacionet e trenit në Milan ishin gjithashtu të mbushura me njerëz. Mbi katër milionë njerëz pritet të kthehen në punë në fabrika dhe kantiere ndërtimi, ndërsa të tjerët mund të bëjnë ushtrime fizike në parqe dhe t’i vizitojnë të afërmit.

Qeveria qendrore e Italisë ka thënë se autoritetet lokale janë përgjegjëse për respektimin e distancës sociale në transportin publik, por në bazë të disa fotografive, duket se një masë e tillë nuk po respektohej prerazi.

Përpos në Itali, shumë njerëz janë parë rrugëve edhe në vendet e tjera të Evropës pas largimit të disa masave kufizuese. Në Gjermani, qindra mijëra nxënës u kthyen në shkollë. Fëmijët e klasave më të larta po kanë prioritet në këtë fazë për shkak të përgatitjeve për provimet e verës.

Portugalia e ka larguar gjendjen emergjente dhe e ka lejuar hapjen e dyqaneve të vogla nga e hëna, ndonëse do të gjobiten me 350 euro të gjithë ata që nuk vendosin maska./ Gazeta Sinjali/