Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio, ka thënë se vendi i tij hedh poshtë me vendosmëri absolute diskutimet për ndryshime kufijsh në rajonin e Ballkanit.
Ai i ka bërë këto deklarata në një fjalim të mbajtur të martën në Kuvendin e Kosovës, teksa i ka konsideruar diskutimet për ndryshim kufijsh si provokime dhe thirrje okulte.
“Vetëm një perspektivë konkrete evropiane është në gjendje të shfuqizojë rifillimin e nacionalizimit dhe aventurizmin e caktuar politik, që do të donte të kthente Ballkanin 30 vjet pas”.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të punojë në kthimin e besueshmërisë në politikën e zgjerimit.
Di Maio ka thënë mes tjerash se Italia është e interesuar që Ballkani Perëndimor të ketë ekonomi stabile të tregut, që ky rajon të stabilizohet në aspektin e sigurisë, duke përmendur anëtarësimin në NATO për vendet aspirante.
Ai ka përmendur edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se është e nevojshme që në Ballkan të mbyllen të gjitha çështjet e hapura mes vendeve fqinje.
Ai ka inkurajuar politikanët nga të dyja shtetet që të çojnë përpara procesin e dialogut, duke thënë se Kosova nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga ky proces, pasi pavarësia dhe sovraniteti i saj territorial nuk janë në diskutim.
Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është me rëndësi historike.
Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik. /GazetaSinjali/