Qeveria italiane ka bllokuar eksportin e vaksinës së AstraZenecas për në Australi.
Përmes këtij vendimi është bllokuar dërgimi i 250.000 dozave të vaksinës, që janë prodhuar nga fabrika e AstraZenecas që gjendet në Itali.
Italia është shteti i parë i Bashkimit Evropian, që po zbaton rregullat e reja të bllokut, duke ndaluar eksportet nga kompanitë që prodhojnë vaksina, e të cilat kanë dështuar që të përmbushin obligimet që kanë me BE-në.
Ky vendim i Qeverisë italiane, sipas mediave, është mbështetur edhe nga Komisioni Evropian.
AstraZeneca ka thënë se do të sigurojë vetëm 40 për qind të furnizimit me vaksina për vendet anëtare të BE-së, që do të distribuohen në tre muajt e parë të këtij viti, transmeton Rel.
Kjo kompani britanike ka thënë se nuk do të arrijë të përmbushë obligimet që ka ndaj shteteve të bllokut evropian, për shkak të problemeve me prodhimin e vaksinave. /Gazeta Sinjali/