Mbrojtja Civile në Itali ka aktivizuar programin evropian të vëzhgimit satelitor, “Copernicus”, për të shënjuar strukturat e përkujdesjes shëndetësore dhe pikat e grumbullimit të qytetarëve.
Synimi është të monitorohet territori dhe aktivitetet e ndryshme në hapësirat publike gjatë emergjencës Covid-19.
Njoftimi erdhi nga Komisioneri i Bashkimit Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç.
Vetëm gjatë fundjavës, në Itali janë gjobitur më shumë se 20 mijë persona nga forcat e rendit, të cilët nuk respektuan masat e qeverisë. Gjithashtu, autoritetet kanë kontrolluar dhe bizneset ku janë sanksionuar 115 administratorë, ndërsa 24 kompani janë urdhëruar që të mbyllin aktivitetin.
Kjo situatë ka dëmtuar rëndë dhe industrinë e turizmit në vendin fqinj. Ky sektor vlerëson humbje për të paktën 120 miliardë euro.
Ekspertët këshillojnë qeverinë që të fokusohet te turizmi për të rinisur ekonominë italiane në përfundim të emergjencës pandemike të koronavirusit./Gazeta Sinjali/