image Ish-pjesëtarja e IS-it shpreson për një të ardhme ndryshe

Botë

Ish-pjesëtarja e IS-it shpreson për një të ardhme ndryshe

news image

Aigerim ëndërron të bëhet infermiere, të mësojë një gjuhë të re, të ndihmojë me para prindërit e saj dhe më e rëndësishmja: të rrisë tre fëmijët e saj.

Por, gruas kazake i duhet të përfundojë burgimin prej gjashtë vjetësh për pjesëmarrje në grupin terrorist të Shtetit Islamik (IS). Prandaj, ëndrrat e saj janë të parealizueshme për momentin dhe i ka lënë në pritje.

Aigerim, nuk deshi të tregojë emrin e saj të plotë. Ajo është në mesin e 600 familjarëve të luftëtarëve të IS-it të cilët qeveria e Kazakistanit i ka riatdhesuar nga Siria që nga viti 2019.

Që nga ajo kohë, shumica e tyre janë lejuar të punojnë, studiojnë dhe rindërtojnë jetën e tyre.

Por, jo edhe Aigerim. Duke folur për REL nga një burg i grave në Kazakistan, ajo tha se menjëherë pas kthimit nga kampi i refugjatëve AL-Hawl i Sirisë, ajo menjëherë u nda nga fëmijët e saj.

“Ndryshe nga të kthyerit e tjerë, ne nuk u vendosem në qendrën speciale të rehabilitimit”, tha Aigerim.

Ajo rrëfen se pas një kontrolli shëndetësor, autoritetet e kanë marrë në pyetje. Në ato momente ajo nuk e dinte se do të përballej me proces gjyqësor.

Aigerim u akuzua për terrorizëm, përfshirë anëtarësimin në një organizatë terroriste dhe për rekrutimin e personave tjerë.

Gjykata e dënoi me shtatë vjet e gjysmë burg. Prindërve të Aigerimit iu dha kujdestaria e përkohshme e fëmijëve të saj, mosha e të cilëve është nga katër deri në 10 vjeç.

Aigerim thotë se e kishte pranuar fajësinë para gjykatës.

“Por, ajo që bëra ishte nga injoranca ime. I besova gjërave që dëgjova nga disa njerëz në internet. Unë i pranoj gabimet e mia”, thotë ajo.

Akuzat e Aigerimit u bazuan në vendimin e saj dhe ish-bashkëshortit të saj për t’u zhvendosur në territoret e kontrolluara nga IS-i në Siri në vitin 2015.

“Një mënyrë e re jetese”

Kur ishte në moshën 14 vjeçare interesimi i Aigerim për fenë islame kishte filluar të thellohej më shumë. Në atë kohë ajo kishte vendosur të mbajë hixhabin dhe të vizitonte një xhami lokale.

Nëna e Aigerimit nuk e kishte miratuar mënyrën e saj të re të jetesës, por babai i saj e mbështeti.

Në moshën 16-vjeçare, Aigerim takoi një djalë të ri konservator fetar dhe u martua me të përmes një ceremonie islamike në xhami. Aigerim e la shkollën, ndërsa nga martesa e saj lindën dy fëmijë.

Ajo thotë se burri e obligoi të vishte nikabin, që mbulon të gjitha pjesët e trupit, përfshirë fytyrën dhe e detyroi të ndërpriste kontaktet me prindërit e saj, duke i quajtur ata të pafe.

Në vitin 2014 ata u ndanë. Disa muaj më vonë, Aigerim filloi bisedën me një burrë uzbek në rrjetet sociale.

Burri i propozoi asaj martesë dhe i tha se do t’i ofronte një jetë të sigurt për të dhe fëmijët e saj.

Burri i ri i Aigerimit i tha asaj se ata duhet të jetojnë në të ashtuquajturin kalifat në pjesët e kontrolluara nga IS-i në Siri. Aigerim pranon se ka shkuar në Siri me vullnetin e saj të lirë.

“Ai tha se situata është e mirë atje, është një vend mysliman, gjithçka është hallall dhe unë rashë dakord të shkoja”, tha Aigerim.

“Ishte viti 2015. Ne e kaluam kufirin (turko-sirian) shumë lehtë, së bashku me shumë familje të tjera, të gjithë të huaj”, thotë ajo.

Kur shkuan atje, Aigerim e zbuloi se burri i saj kishte kohë që punonte për IS-in duke rekrutuar anëtarë të rinj nga Azia Qendrore.

Aigerim nuk tha nëse ky fakt e shqetësonte. Por, ajo ishte zemëruar kur e zbuloi se burri i saj kishte një grua tjetër, të cilën ai gjithashtu planifikonte ta dërgonte në Siri.

Aigerim filloi të ndjehej e “izoluar dhe e vetmuar”. Si zgjidhje, ajo i kishte kërkuar motrës së saj që jetonte në Kazakistan t’i bashkohej asaj në Siri. Motra e saj u arrestua nga autoritetet kazake para se të lëshonte vendin.

Pikërisht kërkesa që i kishte bërë motrës së saj për të shkuar në Siri ishte provë që Aigerim të akuzohej për “rekrutim” të anëtarëve të IS-it.

Aigerim thotë se gjatë qëndrimit në Siri, ajo u nda me burrin e saj dhe u divorcua nga një gjykatë e IS-it. Në atë kohë ajo ishte shtatzënë ndërsa IS-i e transferoi në një konvikt për gratë e veja dhe beqare. Aty, ajo e kishte lindur fëmijën e saj të tretë.

Më pas, Aigerim u martua me një burrë tjetër që ishte një luftëtar i IS-it nga Turqia.

Ajo e përshkroi atë si të zhgënjyer dhe të penduar që iu bashkua IS-it dhe se kishte planifikuar të arratisej.

Por, ai u vra gjatë një sulmi ajror në vitin 2019, periudhë kjo në të cilën IS-i ishte në prag të kolapsit.

Aigerim dhe fëmijët e saj kaluan disa muaj të tjerë në Siri, duke përjetuar uri dhe sëmundje, përpara se të arrestoheshin nga forcat kurde dhe të vendoseshin në kampin në Al-Hawl.

E ardhme më e mirë

Pjesën më të madhe të kohës në burg, Aigerim e kalon duke lexuar në bibliotekë. Ajo është regjistruar edhe në një shkollë në burg.

Si pjesë e një programi deradikalizimi për të kthyerit nga Siria, Aigerim mban takime të rregullta me teologë, psikologë dhe specialistë të tjerë të caktuar nga Qeveria.

Ajo u shkruan prindërve dhe fëmijëve të saj dhe bën plane për një të ardhme më të mirë për familjen.

Është optimiste për të ardhmen e saj dhe thotë se jeta e saj do të përbëhet nga puna dhe studimi.

Një grua kalon pranë varreve të komunitetit shiit në një kodër në periferi të Kabulit, Afganistan, 20 tetor 2021.

Kazakistani ka riatdhesuar 607 gra dhe fëmijë nga Siria dhe 14 fëmijë të tjerë nga Iraku.

Ky vend i Azisë Qendrore po bën përpjekje që të riatdhesojë edhe shtetasit tjerë që gjenden në kampet siriane. Ende nuk dihet numri i saktë.

Kazakistani, kryesisht mysliman, është vlerësuar lartë për përpjekjet që të rehabilitojë gratë dhe fëmijët e traumatizuar dhe për t’i ndihmuar ata të riintegrohen në shoqëri.

Shumë kazakë kanë dyshime dhe e shohin si kërcënim kthimin e familjarëve të pjesëtarëve të IS-it në Kazakistan. Ata nuk pajtohen me vendimin e Qeverisë për t’i riatdhesuar.

Por, shumë të kthyer, përfshirë Aigerim thonë se riatdhesimi është një mundësi për një jetë të dytë./GazetaSinjali/