Ish-kryeministri i Bosnjës dhe Hercegovinës, Haris Silajxhiq, ka tërhequr vërejtjen se ekziston një synim i Serbisë që ta marrë “Republika Srpskan” si kompensim për atë që serbët e quajnë “humbje të Kosovës”.
Komentin për këtë dhe zhvillimet tjera politike në Ballkanin Perëndimor, ai e bëri në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Anadolu Agency”.
“Ekziston një përllogaritje që të merret ajo që është mjaftueshëm e rëndësishme për Bosnjën, hidrocentralet, toka bujqësore, pyjet, dhe të thuhet që kam pasur tokë serbe këtu, dhe kështu të justifikojnë atë që e quajnë humbje të Kosovës”, ka thënë ai.
Muajve të fundit ka pasur përpjekje të shumta nga kreu i “Republika Srpskas”, Millorad Dodik, për t’u shkëputur nga Bosnja e Hercegovina. Kjo ka nxitur reagime të faktorit ndërkombëtar që edhe i kanë vendosur sanksione Dodikut. Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq vetëm në mënyrë deklarative ka thënë se është për respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit.