Sot nga Qeveria e Kosovës është zgjedhur bordi i rregullt Mbikëqyrës i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Trepça”.
Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se nga dy po e ngritin në katër numrin e bordeve të rregullta të ndërmarrjeve, borde që janë zgjedhur nga Qeveria e Kosovës.
Po ashtu, ai tha se ishte e domosdoshme ndërhyrja e tyre në mënyrë që “të ndërpriteshin keqpërdorimet”.
Mirëpo, për t’i “ndërprerë keqpërdorimet”, Qeveria Kurti ka vendosur edhe një “njeri” të saj. Me vendimin e Qeverisë, anëtar i bordit të “Treçës” do të jetë edhe Bujar Bilalli, ish-kandidat i VV-së për asamblenë komunale në Mitrovicë
Anëtarët e tjerë të bordit mbikëqyrës për “Trepça Sh.A.” janë Bahri Hyseni, kryesues, Ibrahim Krasniqi, Muharrem Peci, dhe Xhevdet Tahiri.
Ndryshe, në mbledhjen e sotme ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka abstenuar në votimin e këtij bordi.
Kjo nuk është hera e parë që partia në pushtet emëron në borde të ndërmarrjeve të pavarura “njerëzit” e saj.
Gazeta Sinjali pati raportuar më 27 janar se kryesues të bordit të Postës së Kosovës, Qeveria Kurti e kishte emëruar Fadil Bejtën, donator i Lëvizjes Vetëvendosje. Emri i Bejtës figuron në listën e donacioneve për Lëvizjen Vetëvendosje, për zgjedhjet nacionale të vitit 2021.
Madje, edhe kandidati tjetër nga po e njëjta parti për asamblist në Komunën e Gjakovës, Hasan Krasniqi, është zgjedhur në pozitën e kryeshefit në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.
/GazetaSinjali/