Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Salihu, ka thënë se nuk i kujtohet nëse ka shfrytëzuar kompensimin për karburant, për të ardhur në seancat e kuvendit.
“Saktë nuk më kujtohet, por e kam menduar, dhe më duket se gjithmonë ka qenë e përshirë në kuadër të pagës mujore, por ajo që është me rëndësi është se në rast se deputetët me të vërtetë udhëtojnë prej vendit nga e kanë origjinën, natyrisht se nuk shoh ndonjë gjë të keqe nëse i merr shpenzimet që janë të parapara me ligj”, tha Salihu.
Ai tha se është nën ndërgjegjen e deputetit të tregojë drejt se a banon në Prishtinë apo udhëton.
“Buxheti i Kosovës është buxhet i të gjithëve, ajo që është paraparë me ligj të takon, por në momentin që e keqpërdorë dhe banon në Prishtinë, dhe nuk udhëton, nuk bën shpenzim për rrugë, mendoj se është e ndershme mos me e marrë fare”, u shpreh tutje ai në KlanKosova.
“Nuk është se kemi sjellë ndonjë faturë se unë kam marr karburant, që të më paguajë kuvendi”.
Salihu po ashtu tha se ka pasur edhe më herët diskutime mes deputetëve të LVV-së për të ndalur kompensimin për karburant, si dhe diskutime për një rrogë më të vogël.