image Ish-asistenti i Obamas përplaset me Grenellin për çështjen Kosovë-Serbi: Dështim spektakolar

Kosovë

Ish-asistenti i Obamas përplaset me Grenellin për çështjen Kosovë-Serbi: Dështim spektakolar

news image

Ned Price, ish-asistenti special i Presidentit të 44-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, e ka akuzuar emisarin Richard Grenell për “dështim spektakolar” në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Price, i cili ka punuar në Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) nga viti 2007 deri më 2017, ka thënë se Grenell ka dështuar në dy iniciativat kyçe të tij: arritjen e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe dekriminalizimin e komunitetit LGTBQ+.

“Richard Grenell i ka shitur vazhdimisht në publik dy nisma kyçe gjatë kohës së tij në administratë: diplomacia mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe dekriminalizimi global i LGBTQ. E para dështoi në mënyrë spektakolare, dhe e dyta është një nismë të cilën partia e tij nuk ia lejon ta diskutojë”, ka shkruar Ned Price në Twitter.

Ndërkaq Grenell ia ka përmendur ish-asistentit të Obamas faktin se administrata e kaluar në Shtëpinë e Bardhë i ka injoruar për tetë vite radhazi raportet e tensionuara Kosovë-Serbi.

“Bisedimet Kosovë-Serbi mbahen javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar fillimisht Grenell. “Ekipi juaj ka injoruar popujt e Kosovës dhe të Serbisë për tetë vjet. Dhe, dekriminalizimi nuk ka qenë asnjëherë prioritet për ju”.

Negociatat Kosovë-Serbi do të zhvillohen më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, nën ndërmjetësimin e Richard Grenell.

Palën kosovare do ta udhëheqë kryeministri aktual i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili përball vetes në Shtëpinë e Bardhë do ta ketë Aleksandar Vuçiqin, udhëheqësin e delegacionit të Serbisë. /Gazeta Sinjali