Gazeta Sinjali sot raportoi për arrestimin e zyrtarit policor Bedri Januzi, i cili është kapur mbrëmë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. Ai ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, masë kjo që iu ishte caktuar lidhur me një rast ku Januzi ishte i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Arrestimin e tij e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Inspektorati Policor i Kosovës dhe kanë dhënë detaje.
“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar dje në orët e mbrëmjes një zyrtar policor (i stacionit policor Jugu në Prishtinë) me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Informacionet e para hetuesit e IPK-së i kishin pranuar përmes rrugëve operative – hetimore ky zyrtar policor nuk ishte duke ju përmbajtur Aktvendimit të Gjykatës Themelore ne Prishtinë e cila kishte vendosur për të njëjtin masën e arrestit shtëpiak (lidhur me një rast ku zyrtari ishte i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare).
Bazuar në këtë informacion IPK kishte kërkuar nga Policia e Kosovës që të verifikonte se a është duke e zbatuar masën e arrestit shtëpiak të lëshuar nga Gjykata Themelore Prishtinë, mirëpo zyrtarët policorë nuk kishin hasur në të dyshuarin e lartcekur në shtëpinë e tij e as në objektet përcjellëse.
Hetuesit e IPK-së më vonë janë njoftuar se i dyshuari është identifikuar dhe gjatë kontrollit i njëjti dyshohet se ka lëshuar në tokë një qese që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë.
Pas këtyre veprimeve, zyrtari policor është arrestuar dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.