image IPK deklarohet për përleshjen fizike mes zyrtarëve policorë dhe qytetarëve në Ferizaj

Siguri

IPK deklarohet për përleshjen fizike mes zyrtarëve policorë dhe qytetarëve në Ferizaj

news image

Pamjet e përleshjes fizike ndërmjet dy zyrtarëve policorë dhe qytetarëve kanë tronditur mbrëmë Ferizajin. Sipas policisë, rrahja nisi pasi dy qytetarë nuk po i bartnin maskat në publik si dhe refuzuan t’i binden urdhrit të zyrtarëve policorë.

Në pamjet e publikuara ekskluzivisht në Gazetën Sinjali, shihet se qytetarët edhe i sulmuan zyrtarët policorë në detyrë. E këta të fundit iu kundërpërgjigjën me forcë atyre.

Lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Inspektoratin Policor të Kosovës, të cilët konfirmojnë se pasi janë njoftuar për rrahjen kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pritet të ndërmarrin veprime.

Në përgjigjen e IPK-së për Gazetën Sinjali thuhet se dy personat e arrestuar nga policia janë dërguar në emergjencë nga vet policia për kontrollim mjekësor. 

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e IPK-së pas njoftimit për këtë rast kanë dalë mbrëmë në vendin e ngjarjes.

Në këtë rast kanë qenë të përfshirë dy zyrtarë policorë të cilët kanë pësuar lëndime trupore.

Hetuesit e IPK-së kanë kontaktuar edhe me dy personat e arrestuar nga policia të cilët janë dërguar në emergjencë nga vet policia për kontroll mjekësore  dhe të njëjtit kanë deklaruar se trajtimi i tyre në stacionin policor ishte korrekt.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore në koordinim me Prokurorinë drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit në fjalë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të IPK-së për Gazetën Sinjali.

Nga përleshja fizike kanë pësuar lëndime trupore edhe zyrtarët policorë të përfshirë në rast.

/Gazeta Sinjali/