Trajneri i ri i Interit, Simone Inzaghi sot ka mbajtur konferencën e parë për shtyp, transmeton Sinjali Sport.
Inzaghi erdhi nga Lazio pas largimit të ish-trajnerit, Antonio Conte nga “Nerazzurrët”, mirëpo ai nuk e përfundoi aventurën e tij tek “Biancoelestët” në mënyrën më të mirë.
Në fakt, sipas presidentit të Lazios, Lotito, Inzaghi i kishte dhënë fjalën atij se do ta rinovonte kontratën dhe në fund përfundoi tek Inter.
Sidoqoftë, ai ka mbajtur një konferencë për shtyp ku ka dhënë mendimet e tij lidhur me sezonin e ardhshëm në “Giuseppe Meazza”.
“Jam shumë entuziast për sfidën e re këtu, më pret një punë e madhe mirëpo për mua është një sfidë e madhe në të cilën kam mbështetjen e klubit”, tha ai.
“Zhang dhe drejtuesit më kanë bindur me entuziazmin e tyre duke më treguan se më duan këtu”, shtoi ai.
“Motivimi më ka shtyrë drejt kësaj sfide, kam pasur fatin të fitoj si lojtar, trajner i grupmoshave të reja dhe i skuadrës së parë, më mirë nuk mund të kërkoja”, tha Inzaghi.
“Do të ketë shumë vështirësi, por duam ta mbrojmë titullin e kampionit, njëherësh duke falënderuar edhe Antonio Conten për punën e tij të mirë që fitoi titullin më këtë skuadër”, përfundoi Simone Inzaghi. /Gazeta Sinjali Sporti/