Interi ka triumfuar ndaj Romës në duelin e xhiros së 34-të në Serie A.
Nerazurët kanë triumfuar me rezultat 3-1 ndaj Romës në Meazza, shkruan Sinjali Sport.
Sfida u zhbllokua nga holandezi Denzel Dumfries i cili mori një top të mirë nga Hakan Calhanoglu, për ta finalizuar topin në rrjetë në minutën e 30-të.
10 minuta më vonë, Marcelo Brozovic realizoi një gol të bukur për ta dyfishuar rezultatin në minutën e 40-të, dhe për të shkuar në pushim me një epërsi solide.
Me të filluar pjesa e dytë, vendasit nuk u ndalën teksa realizuan edhe golin e tretë.
Pas një rivënje nga korneri, Lautaro Martinez gjeti topin me kokë për ta çuar në rrjetë në minutën e 52-të, për epërsinë e thellë 3-0.
Krejt çfarë mund të bënte skuadra e Jose Mourinhos ishte të realizonte golin e nderit, me Henrikh Mkhitaryan i cili shënoi një gol të bukur në minutën e 85-të, po që ishte i pamjaftueshëm për të ndikuar në rezultatin final i cili u mbyll 3-1 në të mirë të Interit.
Roma kështu njoftohet me humbjen e parë në kampionat pas një ecurie prej 12 ndeshjeve radhazi pa humbje, qe kur kishte pësuar ndaj Juventusit në janar, dhe me këtë disfatë i shuan thuajse përfundimisht gjasat për të menduar një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, teksa tani e rrezikon edhe pozitën që të dërgon në Ligën e Evropës, ku ndiqet nga Fiorentina e Lazio, të cilët kanë vetëm dy pikë më pak se kryeqyetasit, me nga një ndeshje në duar.
Interi ndërkohë merr lidershipin në tabelë me këtë fitore, duke arritur në kuotën e 72 pikëve në 33 xhiro.