Interi kërkon me çdo kusht të transferojë në Milano talentin shqiptar të mbrojtjes, Marash Kumbulla dhe pas negociatash të shumta me menaxherin e futbollistit dhe klubin e Veronës, është gati të bëjë ofertën zyrtare.
Sipas mediave italiane zikaltrit janë gati të ofrojnë 22 milionë euro kesh dhe rinovimin e huazimit të sulmuesit Eddie Salcedo e anësorit Federico Dimarco, të cilët janë pjesë e veronezëve edhe aktualisht.
Gjithashtu, zbulohet se Interi i ka premtuar Veronës që do ta lërë Kumbullën edhe një vit tjetër në huazim, nëse do të arrijë të sjellë në Milano belg Jan Vertonghen, të cilit i skadon kontrata me Tottenhamin në verë.
Oferta duket mjaft joshëse për Veronën, që përveçse do të përfitonte një shumë të konsiderueshme parash menjëherë, do të mund të bazohej te disa element cilësorë edhe për sezonin e ardhshëm, siç janë Salcedo e Dimarco, apo edhe vetë Kumbulla, nëse do të rrijë edhe një sezon në “Bentegodi”.
Nga ana tjetër Interi nxiton të mbyllë sa më shpejt këtë transferim, për të mposhtur edhe konkurrencën e shumtë që ka për Kumbullën, i cili ndiqet nga klube të shumta italiane dhe europiane, mes të cilave emra si Napoli, Paris Saint Germain, Borussia Dortmund, etj.
Kujtojmë që Marsh Kumbulla debutoi vetëm këtë sezon me skuadrën e par të Veronës, klub në të cilin edhe është rritur në ekipet e moshave, ndërsa paraqitjet e tij janë vlerësuar gjithmonë maksimalisht nga opinion sportiv.
Mbrojtësi përshtatet mjaft mirë në një rreshtim me tre në prapavijë dhe ka luajtur me sukses si në qendër, ashtu edhe në të majtë, duke treguar saktësi në pozicionim dhe qartësi në qarkullimin e topit, cilësi për të cilat e ka vlerësuar edhe Conte, që e kërkon te Interi.