Ballkani do ta luajë ndeshjen më të rëndësishme në histori të klubit të enjten.
Klubi nga Suhareka do të luajë ndeshjen kthyese ndaj Shkupit, për të kërkuar arritjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
‘Portokallinjtë’ fituan ndeshjen e parë të ‘Play-Off’ në udhëtim ndaj Shkupit me rezultat 2-1, duke qenë shumë afër arritjes së historisë.
Për këtë sfidë historike, Ballkani pret një numër sa më të madh shikuesish në “Fadil Vokrri” në mënyrë që të ketë sa më shumë mbështetje për futbollistët.
Ballkani ka hedhur në shitje biletat ditën e djeshme (e hënë) në sheshin e qytetit, dhe deri tani është parë një interesim i jashtëzakonshëm.
Biletat vijojnë nga 1 euro për Veri, Jug e Lindje, kurse 3 euro në Perëndim, gjersa ato VIP kushtojnë 10 euro.
Gazeta Sinjali mëson nga burimet brenda klubit që tashmë janë shitur më shumë se gjysma e biletave për sfidën ndaj Shkupit.
Ballkani ka konfirmuar se shitjet e biletave do të bëhen edhe në Prishtinë ditën e mërkurë dhe të enjte, afër Newbornit.