image Interesim i jashtëzakonshëm, shiten më shumë se gjysma e biletave për ndeshjen Ballkani - Bate

Futboll

Interesim i jashtëzakonshëm, shiten më shumë se gjysma e biletave për ndeshjen Ballkani – Bate

news image

Ballkani do të luajë dy ndeshje tejet të rëndësishme në raundin e “Play-Off” të Ligës së Konferencës, në tentim për të përsëritur historinë siç bëri sezonin e kaluar, raporton Sinjali Sporti.

Klubi portokalli do të luajë ndaj skuadrës bjelloruse Bate Borisov në sfidën eliminatore të “Play-Off”, duke synuar kalimin në fazën e grupeve për të dytin vit radhazi.

Suharekasit do ta zhvillojnë ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri” të enjten mbrëma, me fillim nga ora 20:45.

Interesimi për ta parë këtë duel duket i jashtëzakonshëm, siç e dëshmon fakti që tashmë janë shitur më shumë se gjysma e bilateve.

Siç mëson Sinjali nga burimet brenda klubit, tashmë janë shitur mbi 6 mijë bileta për duelin e parë të kësaj sfide.

Ndërkohë klubi gjithashtu i ka njoftuar të gjithë tifozët që duan të pajisen me bileta se ato do të jenë në dispozicion sot nga ora 13:00 e deri në 21:00 dhe mund të blihen të zyra e klubit në stadiumin e qytetit në Suharekë.

Ato gjithashtu mund të blihen edhe në sistemin online në këtë link: https://eu.ebileta.al/biglietteria/listaEventiPub.do

Kujtojmë se Ballkani edicionin e kaluar e kaloi këtë pengesë ku ndodhet edhe tani, duke eliminuar skuadrën e Shkupit, për t’u kualifikuar në grupe të Ligës së Konferencës dhe për t’u bërë skuadra e parë kosovare ndonjëherë që arrin në fazën e grupeve të një kompeticioni madhor evropian.

‘Portokallinjtë’ mund ta barazojnë rekordin e tyre të vendosur edicionin e kaluar, për t’i prekur grupet për sezonin e dytë me radhë, nëse triumfojnë pas dy ndeshjeve.

Ndeshja kthyese ndaj Bates do të zhvillohet një javë më vonë, në terren neutral dhe pa shikues për shkak të sanksioneve të FIFA-s dhe UEFA-s të vendosura ndaj Rusisë dhe vendeve fqinje të saj, dhe kësisoj dueli do të zhvillohet në stadiumin hungarez “Mezőkövesdi Városi Stadion”, e cila ka kapacitetin e 4,183 ulëseve, shkruan Sinjali Sporti.

Për të arritur deri këtu, Ballkani e nisi kampanjën e Ligës së Konferencës ndaj kampionit irlandez, Larne, duke i fituar të dyja ndeshjet me rezultat të përgjithshëm 7-1, teksa në raundin tjetër pati punë me skuadrën nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps, po ashtu duke e mposhtur në të dyja ndeshjet, me rezultat të përgjithshëm 5-1.

/GazetaSinjaliSport/