Interi vijon negociatat me menaxherët e sulmuesit gjerman Timo Werner, që duket se është alternativa e parë për të marrë vendin e Lautaro Martinez, nëse ky i fundit do të largohet drejt Barcelonës.
Klubi zikaltër është gati të paguajë 60 milionë eurot e kërkuara nga Leipzig për kartonin e futbollistit, ndërsa tani po punon për të arritur një akord edhe me këtë të fundit, që gjithashtu ndiqet edhe nga klube të tjera europiane.
Sa i përket Lautaros, zikaltrit ua kanë bërë të qartë drejtuesve të Barcelonës se pjesa e pagesës kesh duhet të jetë të paktën 90 milionë euro, ndërsa për pjesën e mbetur të klauzolës mund të përfshihet maksimumi një lojtar në marrëveshje shkëmbimi.
Kjo pasi zikaltrit kanë nevojë për para kesh, të cilat mund t’i investojnë menjëherë për të afruar Werner apo ndonjë emër tjetër të denjë për të zëvendësuar argjentinasin, ndërsa dyshja Marotta-Ausilio po kërkojnë edhe për një tjetër sulmues.
Kjo pasi Alexis Sanchez do të rikthehet në “Old Trafford” në përfundim të sezonit dhe Conte ka nevojë për një futbollist me peshë në pankinë, përveç emrave të rinj si Espozito apo Pinamonti që mund të kthehet në bazë këtë verë.
Emrat në listën e drejtuesve zikaltër janë ato të dy sulmuesve që do të jenë të lirë prej 30 qershorit, uruguaianit Edinson Cavani dhe belgut Dries Mertens, të cilëve u përfundon kontrata me skuadrat përkatëse në fund të këtij sezoni.
Cavani është emri i preferuar nga Conte, pasi mund të luajë qoftë si sulmues i dytë, qoftë si sulmues i parë, duke i krijuar më shumë mundësi për të pushuar, belgut Romelu Lukaku, i cili ka mbajtur peshën kryesore të repartit të avancuar këtë sezon.
Megjithatë rruga drejt Mertens duket më e lehtë, pasi belgu ka një pagë të përballueshme lehtësisht dhe do të ishte gati të firmoste për tre sezone me Interin, për një shifër jo më të madhe se 4 milionë euro në vit.