Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e shiut që kanë filluar nga pasditja e djeshme, kanë shkaktuar përmbytje në disa zona, shkruan Gazeta Sinjali.
Anëtari i Sektorit të Hidrologjisë dhe Prognozave, Bashkim Kastrati ka bërë të ditur se ngritja e temperaturave ka ndikuar që të ketë shkrirje të borës, kështu pritet që të ketë vërshime në disa zona.
“Si pasojë e reshjeve të shiut të cilat kanë filluar nga pas dita e datës 29/01/2021, të cilat përfshinë pjesën më të madhe të vendit, nëpër disa zona kanë shkaktuar përmbytje. Kësaj situate i ka kontribuar ngritja e temperaturave ku si pasojë ka ardhur deri te shkrirja e shpejtë e borës, sidomos nëpër viset kodrinore dhe malore, duke shkaktuar organizimin e shpejt të rrjedhave ujore dhe paraqitje të vërshimeve të shpejta. Kjo situatë pritet të vazhdoj edhe gjatë ditëve në vijim, prandaj lumenjtë do të kenë ngritje graduale”, tha Kastrati./Gazeta Sinjali/