image Institucionet në gjendje gatishmërie pas vërshimeve, edhe KFOR-i ofron ndihmë

Kosovë

Institucionet në gjendje gatishmërie pas vërshimeve, edhe KFOR-i ofron ndihmë

news image

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar sot Qendrën e Situatave ku është njoftuar me gjendjen nëpër komuna, pas reshjeve të fundit të shiut dhe të borës të cilat kanë shkaktuar vërshime në shumë rajone të vendit, shkruan Gazeta Sinjali.

Siç njofton kryeministria, në takim me drejtorin e kësaj qendre, Shaqir Shaqiri, dhe sekretarin e Sekretariatit për Siguri, Shpend Tërdevaj, Hoti ka diskutuar për masat që duhet të ndërmerren me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të situatës së krijuar.

“Institucionet e Kosovës janë duke e përcjellë nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, theksohet se Hoti është në komunikim edhe me komandantin e KFOR-it, Gjeneral-Majorin, Franco Federici, i cili ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën e forcës paqeruajtëse nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme.

Gazeta Sinjali në vazhdimësi është duke raportuar dëme dhe vërshime nga shumë komuna të Kosovës, nga ku sinjalizuesit po dërgojnë fotografi dhe video.

/Gazeta Sinjali/