image INSTAT: Kriza e pandemisë nxori të papunë 43 mijë shqiptarë më 2020

Shqipëri

INSTAT: Kriza e pandemisë nxori të papunë 43 mijë shqiptarë më 2020

news image

Kriza pandemike nxori të papunë 43, 000 persona në vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Sipas INSTAT, në fund të vitit kishte gjithsej 1.23 milionë të punësuar në vend, nga 1.27 mln në fund të vitit 2019.

Të dhënat e INSTAT nga Anketa e Forcave të Punës tregojnë se numri i të punësuarve ra ndjeshëm në 6 muajt e parë të vitit (me rreth 50 mijë persona), teksa karantina bllokoi aktivitetin ekonomik për gati tre muaj.

Në tremujorin e tretë, pas hapjes së vendit dhe aktivitetit të turizmit, punësimi u përmirësua ndjeshëm dhe mbi 30 mijë persona u rikthyen në punë.

Efektet pozitive të turizmit në tremujorin e tretë u shuan në 3 muajt e fundit të vitit.

Si rrjedhojë, tremujori i katërt ka sjellë sërish një ulje të ndjeshme të numrit të të punësuarve në vend (-21 mijë në krahasim me tremujorin e tretë), duke bërë që viti më i vështirë që nga 1997 të mbyllet me rreth 43 mijë të punësuar më pak.

Në tremujorin e katërt 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 60,2%. Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2019, numri i të punësuarve gjithsej u ul me 3,4%, ndërkohë krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, ky tregues u ul me 2,2%./GazetaSinjali/