Me vendim të Inspektoratit të Komunës së Prishtinës sot ka nisur rrënimi i një kati pa leje të një ndërtese në rrugën “Fehmi Agani”, afër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Drejtori i Inspektoratit të komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri tha se pjesa më e madhe e këtij objekti është me leje, por që kati i fundit është pa leje, prandaj kanë marr vendim për rrënim të tij.
Tahiri tha se pala është njoftuar 15 ditë më herë me qëllim që ta ekzekutojë vet rrënimin e mbindërtimit, por meqenëse nuk e kanë rrënuar, atëherë Inspeksioni ka ndërhyrë.
“Pjesa më e madhe e këtij objekti është i ndërtuar me leje, mirëpo javëve të fundit ka filluar që ta ngris edhe një kat pa leje, Inspeksioni ka qenë disa herë në vendin e ngjarjes, ka vendosur shirita, i ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore, pala nuk i ka përfill ato dhe ka vazhduar prapë me ndërtim. Më 6 janar është marr vendimi për rrënim dhe i është dhënë palës afat prej 15 ditësh që ta ekzekutoj vetë rrënimin, por në rast se vazhdon me punime, sigurisht që inspeksioni duhet të ndërhyjë menjëherë dhe para këtij afati. Pala ka vazhduar dhe këtë fund javë ka vendosur edhe pllakën e katit”, u shpreh Tahiri.
Sipas tij ka tendenca të ndërtimeve pa leje, por që në vitin 2019 dhjetëra rrënime kanë ndodhur.
Kryeinspektori i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri lidhur me projektin në Liqenin e Badovcit duke mos dhënë shumë detaje tha se kompania ndërtuese ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi.
“Ende as nuk kanë aplikuar për leje, kështu që kjo është çështje krejt tjetër”, tha Tahiri. /Gazeta Sinjali/