Infektologu, Valbon Krasniqi përmendi gjysmën e dytë të muajit maj si kohë kur ndoshta do të ofrohet mundësia për të qenë më të relakasuar sa i përket daljes jashtë.
“Krejt kjo varet nga sjellja e qytetarëve. Rastet që po konfirmohen tani janë rezultat i sjelljeve të qytetarëve i dy javëve më herët, ndërkaq mënyra se si do të sillemi tani si qytetar do të reflektohet në fund të muajit prill, eventualisht në fillim të muajit maj. Nëse virusi do të sillet me të njëjtat karakteristika si nëpër shtetet e tjera, dhe nëse ne si qytetarë respektojmë në masë më të madhe rekomandimet për t’ju shmangur kontaktit me anëtarët e tjerë të familjes, është e natyrshme se mbase në gjysmën e dytë të muajit maj të marrim frymë më lirshëm, po e them edhe njëherë se kjo varet nga sjellja e qytetarëve”, tha Krasniqi.
Edhe pse, Krasniqi tha se një pasqyrë më të qartë për situatën me pandeminë, mund ta kenë Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ai si klinicistë tha se është e logjikshme të pritet relaksim i situatës, në gjysmën e dytë të majit.
“Ne si klinicistë, do të donim që sa më shpejt të shihnim një reklasim të situatës. Presim dhe është e logjikshme që të presim që muaji maj të na gjej më të relaksuar, duhet të punojmë shumë që të ndodh kjo, jo vetëm ne por edhe ekipet në terren por edhe qytetarët. Sa më shumë të respektojmë masat, sa më shumë të shmangim kontaktin me persona të tjerë jashtë familjes, aq më lehtë do të mund të kalojmë këtë periudhë”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se është e pritshme të rritet numri i të infektuarve me COVID-19, krahas rritjes së numrit të testeve të cilat po bëhen në Institutin e Shëndetësisë Publike të Kosovës.
“Është e vërtetë që është rritur numri i të infektuarve në javën e fundit, krahas numrit të testeve që janë bërë javën e fundit, në mënyrë paralele është rrit edhe numri i personave që kanë rezultuar pozitiv dhe kjo është e pritshme”, tha Krasniqi, për telegrafin.
Ai tha se daljet nga shtëpitë, mund të bëhen, vetëm nëse virusi sillet me të njëjtat karakteristika sikur në shtetet tjera, dhe nëse respektohen masat parandaluese./Gazeta Sinjali/