image "Viti 2022 do të jetë më i lehtë sa i përket COVID-it" - Sinjali

“Viti 2022 do të jetë më i lehtë sa i përket COVID-it”

news image

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, beson se viti 2022 do të jetë më i lehtë sa i takon pandemisë COVID-19. Ai është deklaruar edhe rreth ankesave sa i përket mungesës së barnave esenciale.

Krasniqi beson që viti 2022 do të jetë më i përballueshëm, përkundër se vendi po përballet me rastet e para të variantit Omicron të COVID-19.

“Unë besoj që bota edhe Kosova do ta ketë një vit më të lehtë sa i përket pandemisë marr parasysh shumë faktorë, në radhë të parë tashmë njohuritë që i kemi për virusin, vaksinimin që e kemi në dorë si armë dhe me zbatimin e masave që tashmë janë të njohura sigurisht që bota pres që të kalojë një vit më të qetë”, u shpreh Krasniqi.

Ai thotë se gjatë këtij viti kanë arritur që pacientëve t’u sigurojnë shumicën e barnave nga lista esenciale. Sipas tij, mungesat e herëpashershme kanë ndodhur për shkak të çrregullimeve të shkaktuara në treg nga pandemia COVID-19.

“Shumica dërrmuese e barnave gjatë tërë periudhës vjetore pothuajse kanë qenë në dispozicion, sigurisht që ka mungesa të herëpashershme për disa barna, por ato që janë më esenciale dhe më vitale për pacientët kanë qenë në dispozicion gjatë gjithë vitit”.

“Mungesat e herëpashershme që paraqiten për arsye nga më të ndryshmet, pjesa më e madhe, qoftë për shkak të pamundësisë së sjelljes së barnave nga operatorët ekonomikë, qoftë për shkak të mungesës së tyre në treg, ju e dini që gjatë vitit ka pasur mungesa të insulinave, ka pasur mungesë të fraksiparinave edhe në tregun privat, dhe kjo sigurisht është shkaktuar si pasojë e çrregullimeve që kanë ndodhur në botë për shkak të pandemisë COVID. Por, në përgjithësi, ky vit karakterizohet me furnizim shumë më stabil, shumë më të qëndrueshëm dhe në masën shumë më të madhe sesa vitet paraprake”, theksoi ai për KP.

Stabilitet në furnizim me barna nga lista esenciale, Krasniqi premton edhe gjatë vitit 2022 pasi që Qeveria e Kosovës ka ndarë 30 milionë euro. Ai thekson se buxheti për SHSKUK-në i paraparë për këtë vit është më i lartë sesa ai i vitit të kaluar.

Në fund të vitit të kaluar u zgjodhën edhe drejtorët e shumë prej klinikave të QKUK-së, të cilët udhëhiqeshin prej vitesh me ushtrues detyre. Krasniqi tha se synon që gjatë këtij viti të emërojë edhe drejtorët e spitaleve rajonale dhe shefat e reparteve që janë me ushtrues detyre./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin