Mali mbi tunelin e Kalimashit mbrëmë u përfshi nga një zjarr i madh, i cili doli jashtë kontrollit. Për të ndihmuar në shuarjen e këtij zjarri, në Kukës arritën trupat e FSK-së dhe zjarrfikësit nga Kosova.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë të ditur se tani, tuneli i Kalimashit është plotësisht i sigurt dhe i kalueshëm, raporton Gazeta Sinjali.
Ai ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit të sotëm pritet një operacion me më shumë forca për të fikur zjarret në të gjithë malin e Rrunjës.
“Tuneli i Kalimashit plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt. Falënderim për angazhimin operacional të strukturave zjarrfikëse të Kukësit dhe të Kosovës. Ndërsa vazhdon puna për të mbrojtur tunelin, sot në orët e para të mëngjesit pritet një operacion me më shumë forca për të fikur zjarret në të gjithë malin e Rrunjës, për të mbrojtur jetët njerëzore dhe banesat e Shëmrisë”, shkroi Meta në Twitter./Gazeta Sinjali/