Ikballe Berisha-Huduti, e cila u arrestua nën dyshimet për ‘shtytje në kryerjen e veprave terroriste’, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi ka konfirmuar se e dyshuara është dërguar para gjykatës, mirëpo ende nuk është marrë vendim për caktimin e masës së sigurisë ndaj saj.
Prokurori special, Afrim Shefkiu, të mërkurën, kishte kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarën.-
Dy ditë më parë, Policia e Kosovës e kishte arrestuar Ikballe Berisha-Hudutin, pasi e njëjta përmes rrjeteve sociale ishte deklaruar kundër vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, gjatë një sulmi me dron nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ikballe Berisha-Huduti, përmes një serie postimesh në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, kishte shprehur pikëpamjet e saj lidhur me vrasjen e Soleimanit, të cilin e kishte përshkruar si “njeri madhështor”.
Berisha-Huduti në njërin nga postimet në rrjetin social Facebook, kishte kritikuar Uashingtonin, pasi forcat amerikane vranë gjeneralin iranian, më 3 janar.
“Duke vrarë të zotin e shtëpisë, ju keni vrarë të gjithë familjen, andaj hakmarrja është e obligueshme, por nuk ka kufi”, ka shkruar Berisha-Huduti.
Postimi duket se është fshirë pas raportimeve nga mediat vendore në Kosovë.
Ajo kishte paralajmëruar padi ndaj mediave që e kishin cituar atë /Gazeta Sinjali/